Gerardo Tata Martino, trajneri i ri i Argjentinës
Pëlqej
Me largimin e Alejandro Sabellas u përfol gjërë e gjatë se kush do të ishte pasuesi i tij, por tashmë zyrtarisht Gerardo Martino është trajneri i ri i kombëtares argjentinase me një kontratë deri në Botërorin e ardhshëm, "Rusi 2018". Në rrugëtimin e ri, Martino do të shoqërohet nga të njëjtët bashkëpunëtorë që kishte te Barcelona, pra si krah të djathtë do të ketë Jorge Pautasso, ndërsa si përgatitës fizik, Elvio Paolorosso.

Emërimi i tyre ishte një nga kushtet që trajneri i ri i nënkampionëve të botës kishte shtruar në tryezën e negociatave.

Ulja e Martinos në stolin e kombëtares ishte një fakt i ditur, por i gjithë procesi mbeti pezull dhe bisedimet u shtynë për shkak të ndarjes nga jeta të presidentit të federatës. Julio Grondona ishte angazhuar personalisht në negociatat me njeriun që drejtoi Barçën për një sezon të vetëm.

Për presidentin e ndjerë, Messi shikohej si perëndi dhe Martinon ishte i duhuri sipas tij për Albicelesten, nisur nga raportet e mira mes tyre. Cuditërisht, Grondona e donte aq shumë 51-vjeçarin në stol, sa i kishte lënë pas të gjitha komentet negative prej tij.

Më herët, në disa raste Martino është shprehur se nuk ishte normale që Grondona qëndronte prej shumë vjetësh në krye të Federatës së Argjentinës. Gjithsesi të shkuara, të harruara. /albeu.com/
Shtuar më 12/08/2014, ora 09:49
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori