Giggs harron sukseset me United: Kjo është dita më e lumtur e jetës sime
Ryan Giggs u shfaq në ekstazë, teksa e përshkroi të martën si ditën më të mirë të jetës së tij, pasi Uellsi që drejton si trajner siguroi vendin në finalet e "Euro 2020". Fitorja 2-0 ndaj Hungarisë ishte vendimtare për këtë sukses. Aaron Ramsey ishte heroi në Cardiff, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë loje. Uellsi e mbylli në vendin e dytë kualifikues, pas Kroacisë, në Grupin E.

"Nuk bëhet më mirë, – tha trajneri i Uellsit, Giggs, për "Sky Sports". – Është e mrekullueshme. Nga atje ku ishim në verë, me ato dy humbje (në transfertë me Kroacinë dhe Hungarinë), jemi treguar mjaft të zotët në vazhdim. E pabesueshme se si e kemi kthyer situatën në favorin tonë. Lojtarët kanë treguar çiltërsi, vendosmëri dhe cilësi. Kjo është një nga ditët më të mira të jetës sime".

Duke mos arritur asnjëherë ta përfaqësojë Uellsin në një turne të madh si lojtar, Giggs i madh i Manchester United do të kënaqet ta drejtojë kombëtaren e vendit të tij në një skenë kaq të shkëlqyeshme, si "Euro 2020": “Për të qenë i sinqertë, nuk kam menduar vërtet për këtë. E përsëris, është një nga ditët më të mëdha të jetës sime. Ishte shumë i vështirë kualifikimi. Jo vetëm që jam bekuar me një grup kaq të mirë lojtarësh, por kam edhe stafin më të mirë, që mund të kërkoja".

Skuadra e Giggs fitoi katër nga tetë kualifikueset, me dy barazime dhe dy humbje të tjera, duke mbyllur një fushatë përfundimisht të suksesshme. Në "Euro 2016", në Francë, Uellsi përfundoi në krye të grupit të vet dhe luajti në gjysmëfinale, ku humbi 2-0 ndaj kampionëve të Portugalisë.
Shtuar më 20/11/2019, ora 12:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori