Gjakmarrja/ Stivi e Uendi Vecaj dalin nga ngujimi
Dy djemtë e fisit Vecaj, dy futbollistët Stivi e Uendi Vecaj nuk do të qëndrojnë më të ngujuar. Pasi qëndruan prej një jave të mbyllur brenda katër mureve për shkak se një i afërmi i tyre vrau në mënyrë të paqëllimshme një fqinj, Stivi dhe Uendi, djem xhaxhallarësh, i pari luan me Adën dhe i dyti me Vllazninë, tashmë do t’i rikthehen sërish fushës së stërvitjes dhe ndeshjeve të ekipeve respektive.

Fisi Vecaj është falur nga fisi Bungu në Shkodër për shkak se vrasja nuk ka qenë me dashje. Gjithsesi, dy futbollistët bashkë me pjesën tjetër të fisit Vecaj qëndruan të ngujuar edhe në shenjë respekti ndaj viktimës, por edhe nga frika se gjakësori mund t’i marrë jetën duke qenë se ende dy fiset nuk ishin ulur për të biseduar për të gjetur një zgjidhje, raporton Panorama Sport.

Pas një jave, pleqtë e dy fiseve në fjalë kanë arritur që të shtrëngojnë duart dhe fisi Bungu ka falur fisin Vecaj, sepse vrasja nuk kishte qëllime kriminale. Autori i vrasjes, Ndokë Vecaj, vazhdon të jetë në dhomat e paraburgimit pas masës së sigurisë “arrest me burg” nga gjykata e Shkodrës.
Shtuar më 29/02/2016, ora 10:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori