Gjermani-Argjentinë, rikthehet finalja e "Brazil 2014" (FOTO LAJM)

GJERMANIA
Pëlqej
Kanë kaluar diçka më pak se dy muaj nga ajo e dielë e 13 Korrikut në "Maracana", ku Gjermania falë golit të paharrueshëm të Mario Gotze në kohën shtesë mposhti Argjentinën për tu bërë kampione e botës për të katërtën herë në histori. Këtë mbrëmje të dyja skuadrat gjenden sërish përballë në Dusseldorf dhe risitë nuk janë të pakta në krahasim me finalen e Botërorit "Brazil 2014".

Te Gjermania trajneri Joachim Low nuk do të mund të mbështetet më te Philipp Lahm, Per Mertesacker dhe Miroslav Klose që u tërhoqën nga përfaqësuesja pas triumfit në Rio dhe nga grupi që u shpall kampion bote nuk do të mund të luajnë as Shkodran Mustafi apo kapiteni i ri Bastian Schweinsteiger që janë duke u marrë me problemet fizike përkatëse.

Në kombëtaren gjermane rikthehet Mario Gomez. Bomberi i Fiorentinës pritet ta nisë ndeshjen nga stoli, por mbi të gjitha rikthehet Marco Reus ylli i Borussia Dortmund të cilit ju desh të hiqte dorë nga Botërori në momentet e fundit para tij për shkak të një dëmtimi. Do të jetë pikërisht ai në fushë sonte në repartin e avancuar bashkë me Ozil e Muller për të mbështetur 9-ën false, vulën fituese të Botërorit, Mario Goetze.

Padyshim që risia më e madhe për Argjentinën është në stol, duke qenë se Gerardo "Tata" Martino ka zëvendësuar të dorëhequrin Alejandro Sabella. Në fushë në krahasim me 13 Korrikun do të mungojnë Lionel Messi, i cili ka qëndruar në Barcelonë për shkak dëmtimi si dhe Lavezzi.

Pritet që të jenë titullarë Di Maria, Aguero dhe Lamela, ndërsa për Higuain parashikohet që ta nisë sfidën nga stoli.

Replika e finales së Botërorit vjen në skenë në orën 20:45 si një takim për të mos munguar për të gjithë të apasionuarit e futbollit. /albeu.com/
Shtuar më 03/09/2014, ora 13:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori