Gjici e nis "mbarë", jep rrogën paradhënje: Vetëm fitoni kundër Partizanit
Kukësi po përgatitet për ndeshjen e javës së dytë, ku verilindorët do përballen ndaj rivalit të tyre për titull, Partizanit. Të gjitha sfidat ndaj kryeqytetasve kanë qenë mjaft të zjarrta, si në fushë, po ashtu dhe jashtë saj. Por në sezonin e fundit ka pasur akuza dhe kundërakuza nga të dyja kampet, sidomos ndërmjet dy presidentëve, Safet Gjici dhe Gaz Demi.

Të dy presidentët e dëshironin titullin, por në fund ishte Gjici ai që e bëri të tijën kurorën. Edhe në këtë fillim sezoni, dëshira që këto dy ekipe të mundin njëratjetrën është e zjarrtë, pasi në mbledhjen e së enjtes ishte numri një i verilindorëve, ai që u komunikoi lojtarëve dhe stafit se, mjafton që Kukësi të fitojë ndaj Partizanit dhe ata janë të falur për nisjen e dobët të sezonit të ri.

Madje, presidenti Gjici dje ka shkuar më tej, pasi për të karikuar e mbështetur ekipin para ndeshjes me Partizanin, ka urdhëruar zyrën e financës për t’u dhënë rrogat lojtarëve dhe stafit, raporton Panorama. Deri këtu çdo gjë duket normale, por favori i presidentit për ekipin është se rrogat u janë shpërndarë atyre një javë më herët sesa është data normale e pagesës.

Ekipi duhet të merrte rrogat e gushtit pas datës 20 shtator, rroga, të cilat janë shpërndarë dje, disa ditë më parë. Qëllimi është i qartë, të gjithë futbollistët duhet të jenë të motivuar dhe me disa lëvizje kreu i klubit i ka prekur në sedër dhe u ka treguar se ai po e kryen më së miri detyrën e tij, ndërsa ata duhet ta kryejnë më së miri punën në fushën e blertë. Kërkesa është që ndaj Partizanit duhet të tregojnë sesa vlejnë, pasi forcat maten me rivalët direkt.
Shtuar më 16/09/2017, ora 17:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori