Gjilani i Gentian Mezanit, skuadra e nënvlerësuar që është 2 fitore larg titullit
Drita, Gjilani dhe Ballkani janë tri skuadrat që po militojnë "me mish e me shpirt" për ta fituar titullin e kampionit këtë edicion.

Kur kanë mbetur edhe dy xhiro deri në mbyllje të edicionit, Gjilani nga një skuadër e nënvlerësuar, ka qenë befasia më e madhe në elitën e futbollit kosovar në javët e fundit.

Trajneri Gani Sejdiu dhe ish-futbollisti Erdin Hashani për "Zeri.info" thonë se cilësia dhe përvoja që ka në skuadër Gjilani, kanë qenë jetike për kthesën e madhe në fund të këtij edicioni

Gjilani është skuadra më në formë për momentin në Superligën e Kosovës në futboll, derisa ka regjistruar katër fitore të njëpasnjëshme dhe një barazim në pesë ndeshjet e fundit në elitën e futbollit kosovar, duke përfshirë këtu edhe triumfin në "Derbin e Anamoravës" ndaj Dritës.

Pas rikthimit të futbollit kosovar pas pauzës shkaku i pandemisë COVID-19, Drita, Ballkani, FC Prishtina janë parë pretendent kryesor për titullin e kampionit në Kosovë, derisa Gjilani ka qenë një skuadër e nënvlerësuar në këtë drejtim, raporton "Zeri.info".

Megjithatë, skuadra gjilanase që drejtohet nga Gentjan Mezani i ka lënë "pa fjalë" analistët e futbollit vendor e më gjerë, derisa sot renditet në vendin e dytë në renditjen tabelore me 64 pikë, një më pak se lideri, Drita, kur kanë mbetur edhe dy xhiro për t'u zhvilluar deri në fund të këtij edicioni.

Gjilani, skuadra që luftoi për mbijetesë edicionin e kaluar, në afatin kalimtar të verës së vitit 2019, në krye me presidentin Florim Zuka, investoi tejmase, derisa solli shumë futbollistë të huaj, veçanarisht nga Shqipëria, të cilët kanë rezultuar si blerje të suskesshme.

Ndonëse me një fillim jo edhe aq të mirë këtë edicion, Gjilani arriti ta mbledhë veten dhe sot po tregon se ka kapacitet që ta fitojë titullin e kampionit, diçka që ka qenë jo e pritur nga njohësit e futbollit në vend.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu ka thënë se në dy fazat e para të këtij edicioni, Gjilani nuk i ka përmbushur pritshmëritë, por që në fazën e tretë, ka qenë skuadër krejtësisht më ndryshe.

Nga ana tjetër, ish-futbollisti i mirënjohur kosovar dhe njohësi i zhvillimeve të futbollit kosovar, Erdin Hashani thotë se pavarësisht fillimit të dobët, te ecuria mbresëlënëse e Gjilanit ka ndikuar përvoja dhe cilësia në skuadër.

Sejdiu: Në fazën e tretë, Gjilani ishte një skuadër krejtësisht më ndryshe

Ish-trajneri i Trepçës'89 dhe Drenicës, Gani Sejdiu në një bisedë me "Zeri.info" ka folur për ecurinë e Gjilanit në këtë edicion, si dhe për gjasat e gjilanasve për titullin e kampionit.

Sipas trajerit mitrovicas, në dy fazat e para të edicionit, Gjilani nuk bëri paraqitje të mira, por gjithçka ndryshoi në fazën e tretë.

"Skuadra e Gjilanit prej fillimit të kampionatit ka qenë kandidat për titull duke marrë parasysh investimet. Por, në dy fazat e para, nuk ishte në nivelin e pritshëm, sepse kishte disa rezultate negative dhe më pas opinioni e humbi besimin në këtë skuadër", ka thënë Gani Sejdiu, duke vazhduar:

"Me gjithë respektin, mua kjo skuadër nuk më ka bindur për arsye që i ceka më lart, por në fazën e tretë, hiq ndeshjet me Trepçën'89 dhe Llapin, Gjilani ishte një skuadër krejtësisht ndryshe nga dy fazat e para, ku ka krijuar një fizionomi të qartë të lojës".

Tutje, Sejdiu mendon se forma e lartë e Gerhard Prognit, Razak Keitas dhe disa të tjerëve ka luajtur rol të madh.

"Disa lojtarë kyç në momentin e duhur kanë hyrë në formën maksimale si Progni, Razak Keita dhe tash kam një mendim krejtësisht më ndryshe sepse për momentin është skuadra më stabile në ligë. Kjo tregon që për të ardhur në shprehje cilësia e saj, është dashur kohë për t'u komponuar skuadra, gjë e cila erdhi në momentin më të rëndësishëm", potencoi Gani Sejdiu.

Për fund, "timonieri" që ka drejtuar disa skuadra në Kosovë, thotë se mendimet skeptike kundrejt Gjilanit kanë qenë të momentit, por tashmë gjithçka ka ndryshuar falë rezultateve pozitive të skuadrës.

"Sa për dijeni, ne gjithmonë japim një opinion për momentin, e jo për të ardhmen sepse çfardo që të ndodhë në të ardhmen, askush nuk mund ta dijë. Kështu që për Gjilanin, mendimet spektike kanë qenë për më herët, ndërsa tash janë pozitive sepse është meritë e rezultateve të tyre", përfundoi të hënën për "Zeri.info" Gani Sejdiu.

"Do të ishte dështim nëse Gjilani të paktën nuk kualifikohet në Evropë"

Ish-futbollisti që ka bërë karrierë në Kosovë dhe Shqipëri, Erdin Hashani e ka pranuar se Gjilani nuk e ka nisur siç duhet edicionin aktual në Superligën e Kosovës.

Megjithatë, Hashani mendon se komponimi i skuadrës ka qenë i vështirë në fillim për shkak të prurjeve të shumta nga jashtë në afatin kalimtar verës së kaluar.

"Nëse e shikojmë fillimin e edicionin, nuk është se e ka nisur mirë Gjilani, por gradualisht kjo skuadër e ka kapur formën. Po ashtu, edhe pas rifillimit të edicionit, nuk është se kanë pasur formë të mirë, edhe ndoshta arsyeja është se Gjilani ka pak futbollistë kosovarë që janë në përbërjen e parë, kështu që adaptimi i tyre ka qenë i vështirë", u shpreh Erdin Hashani për "Zeri.info".

"Por, Gjilani ka në radhë të veta futbollistë me përvojë dhe cilësorë. Me investimet e bëra, normalisht se Gjilani ka qenë pretendent për titull prej fillimit, nëse jo për titull, atëherë për Kupën e Kosovës. Sa është dy ndeshje larg titullit, po ashtu është edhe larg Evropë", potencoi analisti i futbollit vendor.

Ndërkohë, Hashani ka thënë se përvoja dhe cilësia në skuadër ka ndikuar që Gjilani të jetë sot dy fitore larg titullit kampion në Kosovë për herë të parë në histori të klubit.

"Kishte me qenë një dështim për Gjilanin nëse të paktën nuk merr pjesë në Evropë për shkak të gjithë atyre investimeve dhe prurjeve që kanë bërë që ju kanë kushtuar shumë. Ajo që ka ndikuar është thjesht përvoja dhe cilësia që e kanë në skuadër sepse kanë bërë, po e them prapë, investime të mëdha. Aty ku ka investime, ka edhe suksese", përfundoi Hashani për "Zeri.info".
Shtuar më 20/07/2020, ora 21:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori