Gjoka: Duhen zgjidhur problemet ekonomike që të kemi sukses
Ernest Gjoka u përball me një situatë aspak të këndshme para sfidës me Partizanin, ku rreth 7-8 lojtarë refuzuan të zbresin në fushën e lojës, duke protestuar ndaj mungesës së pagesave prej disa muajsh.

Vetë tekniku i Kamzës pranoi problematikën në intervistën e dhënë për emisionin “Gol pas Goli” dhe paralajmëroi se nëse situata nuk zgjidhet, atëherë do të rishikojë pozicionin e tij në pankinë.

Të paktën 7-8 lojtarë tuajët refuzuan të luajnë sot, për shkak të problematikave të mbartura…
Situata është kjo që është dhe unë uroj që të zgjidhet sa më shpejt. Njerëzit kanë nevojat e tyre për të marrë atë për të cilën punojnë, ndaj uroj që problematika të zgjidhet sa më shpejt, që skuadra të jetë e qetë dhe të punojë për objektivin. Dy drejtuesit kanë prishur marrëdhëniet mes tyre dhe kjo ka sjellë këtë situatë, që unë shpresoj të kalojë sa më shpejt, pa na shkaktuar dëmin e madh.

Pavarësisht problematikave, u panë disa gjëra të mira te Kamza sot. A jeni i kënaqur me lojtarët që luajtën sot?
Në këto momente që jam, mund të them se jam i kënaqur me të gjithë që luajtën në fushë sot. Ata zbritën dhe u angazhuan maksimalisht, por nuk jemi në fazën që mund të analizojmë nëse bënë mirë, apo jo.

Çfarë e motivon një trajner, që të vijojë punën kur përballet me një problematikë të tillë?
Unë kam vendosur t’i jap edhe pak kohë presidentit Qarri, që të qetësojë skuadrën dhe të vijojmë punën në mënyrë normale. Nëse kjo nuk ndodh, atëherë normalisht që unë i pari do të rishikoj pozicionin tim.

Një paralajmërim për dorëheqje?
Nuk është një paralajmërim për dorëheqje, por nga ana tjetër, është e pamundur të punosh gjatë, kur ke në dispozicion 20 lojtarë që vijnë vetëm fizikisht në stërvitje.
Shtuar më 03/02/2019, ora 16:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori