Gjoka: Keqardhje për këtë humbje
Trajneri i Kamzës, Ernest Gjoka ka shprehur keqardhje për humbjen kundër ish-skuadrës së tij, Kukësi.

• Keqardhje për një humbje të tillë?

"Sigurisht, më shumë për futbollistët, sepse në këto raste, janë ata që e vuajnë psikologjikisht dhe shpirtërisht, në një ndeshje që nuk duhej të humbnim.

• Momenti i diskutueshëm për penallti…

"Çfarë të mendoj unë? Ka më mirë se kaq? Ju na e bëni të lehtë punën. Ishim 0-0 në ato momente. Nëse do merrnim atë penallti, skuadra do kishte tjetër agresivitet. Gjithsesi, arbitri e di.

• Nervozizmi dhe padurimi i skuadrës, sikur të ishte një finale. Erdhën 2-3 kartona të verdhë, por edhe autogolat…

"Mendoj se ke të drejtë, që ka nervozizëm, sepse nuk është kollaj të jesh në vendin e fundit, ka nervozizëm, po punojmë shumë që të ndryshojmë këtë gjë. Me nervozizëm nuk shkojmë askund, por hap pas hapi. Nuk ishim të qartë në momentet e golave. Kjo gjë duhet sqaruar sa më shpejt.

• Çfarë ekipi keni gjetur?

"Kam gjetur një ekip siç e dimë të gjithë, në fund të tabelës. Me disa lojtarë që kanë cilësi, por që duhej të ishin më lart. Sigurisht që objektivi është të merren pikët, sepse më pas çfarë vlere ka. Do jemi në kërkim të pikëve. Ky është një test për të gjithë ne, edhe për mua edhe për futbollistët. Sa më shumë pikë të marrësh, aq më i qetë je.

• Mendoni se keni nevojë për merkato?

"Çështja kryesore është të dalim nga ky ngërç. Për 4 javë, janë shumë pikë në lojë. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë tani, dhe më pas të shohim çfarë do bëhet. Tani ky është objektivi për momentin.

• Me ato emra që keni brenda skuadrës, është një ngërç psikologjik ky te Kamza?

"Ky është problemi kryesor, e dimë të gjithë që Kamza ka lojtarë që për cilësinë që kanë, nuk duhet të jenë në këtë vend. Por duke humbur pikët gjatë javëve, sado cilësi të kesh brenda, humb qetësinë. Dhe ky është problemi i Kamzës", përfundoi Gjoka.
Shtuar më 25/11/2018, ora 16:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori