Gjoka rrëfen para gjykatës si e sulmuan me thikë në Shkodër
Ernest Gjokës i është dashur të paraqitet në Gjykatën e Shkodrës ditën e sotme, në rolin e dëshmitarit dhe të prekurit, referuar ngjarjes së ndodhur në shkurt 2018, kur ishte në stolin e Vllaznisë.

Interesant është fakti se edhe kur ka ardhur, edhe kur është larguar nga kryeqendra e veriut, ai ka qenë i shoqëruar nga policia.

Trajneri kryeqytetas u sulmua nga një person në atë kohë, i cili, sipas deponimit fillestar të Gjokës në polici, ka dashur ta godasë me thikë.

Në bazë të këtij denoncimi, unifromat blu të Shkodrës arrestuan dy të rinj, Nehat Fojleta dhe Sehar Xhenje, si autorë të dyshuar.

Ata janë pas hekurave dhe po gjykohen për veprën penale “vrasje me paramendim e mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim.

Ish-trajneri i kuqebluve, tani në drejtimin e Kukësit, është rrëfyer para gjykatës për atë që ka ndodhur, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të prokurores Ajola Premçi:

“Sapo dola nga stërvitja, një djalë me kasketë në kokë m’u afrua. Ai nxori një thikë dhe më sulmoi. U ndesha fizikisht me të dhe ai iku me vrap. Nuk arrita ta njoh.

Fillimisht më goditi në kokë, nga pas shpine. Reagova, e godita dhe unë për t’u mbrojtur. Më doli përballë më pas, nxori thikën për të më goditur.

Unë mora një biçikletë, që ishte aty afër dhe u mundova ta gjuaj. Nga frika rashë në tokë dhe i shtrirë e gjuajta me shkelm. Agresori iku.

Nuk kam patur asnjë debat me atë djalin më përpara. U përplasëm të dy dhe ai m’u vërsul me thikë.

Kur unë dhe ai u rrëzuam përtokë, kapiteni Gilman Lika la çantën dhe u afrua, por agresori iku me vrap. Konflikte nuk kam patur, por kur isha trajner te Vllaznia kisha probleme për futje të një futbollisti në lojë.

Kam bërë denoncim edhe përpara, problemi u zgjidh, sepse policia thirri prindërit e tij. Agresorin nuk e kam njohur më përpara.

Nuk ishte goditje për të marrë mjekim në spital. Nuk di ta përcaktoj përmasën e thikës, sepse ishte një moment tensioni dhe frike. Isha në kontakt me të dhe i rrëshqita nga frika.

Thikën më duket se e nxori nga trupi. Unë s’kam parë askënd tjetër, përveç atij që më goditi. S’më tha asnjë fjalë. Ndodhi gjithçka shumë shpejt”.

Pasi doli nga gjykata, Ernest Gjoka tha se i ka falur të dy djemtë dhe se nuk ka më asnjë interes për këtë çështje:

“Më vjen keq, unë i kam falur dy djemtë edhe për familjet e tyre. Unë si Ernest nuk kam asnjë interes në këtë çështje.

Nuk më intereson fare, sepse më është kthyer Shkodra në një stres shumë të lartë.

Kur filloj e mendoj për çfarë ka ndodhur sulmi ndaj meje dhe nuk gjej asnjë shkak, më vjen shumë keq.

Unë dua ta mbyll një herë e përgjithmonë këtë histori”.
Shtuar më 18/04/2019, ora 12:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori