Arda Turan dënohet me burg (VIDEO)
Futbollisti i njohur turk, Arda Turan, që ka luajtur edhe me Atlético Madrid dhe Barcelona, është dënuar sot me dy vite e tetë muaj burg, pa izolim të menjëhershm prapa duerve të hekurta, për mbajtjen e një arme pa leje, me të cilën gjuajti përtokë në një spital. Aktualisht pjesë e Basaksehir të Stambollit, Turan nuk do të duhet të hyjë në burg, veç nëse kryen një krim tjetër në pesë vitet e ardhshme, pasi ka pranuar të mos e apelojë dënimin.

Faktet e provuara na kthejnë në tetor 2018 , kur Turan u përplas ashpër në një disko me këngëtarin popullor turk, Berkan Sahin, i cili e kishte akuzuar futbollistin për ngacmimin e gruas së tij. Gjykata e liroi Turan për krimin e ngacmimit, por e dënoi atë për lëndim të qëllimshëm, pasi i kishte thyer hundën këngëtarit; për armëmbajtje pa leje; dhe për qitje me armë në spitalin ku Sahin kishte shkuar për t’u mjekuar pas përleshjes. Gjatë gjyqit, lojtari mohoi ngacmimin e gruas së këngëtarit, por pranoi faktet e tjera, megjithëse siguroi se shkrehja e armës ishte aksidentale.

"Faleminderit Zot, drejtësia turke ka konsideruar se ishte një shpifje e turpshme”, - tha Turan në referim të çlirimit nga akuzat për ngacmim, në një deklaratë të lëshuar për NTV. Sulmuesi turk, i larguar që nga janari i vitit 2018 nga Barça, e ka denoncuar Sahin për shpifje. Në rrjetet sociale turke, përdorues të shumtë e konsiderojnë dënimin e tij si jashtëzakonisht të butë, veçanërisht kur krahasohet me dënime të tjera, shumë më të rënda, për krime të të menduarit politik.
Shtuar më 11/09/2019, ora 16:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori