Goditjet e dënimit, Messi shënon më shumë se Juventus e Reali
Të shënosh nga goditjet e dënimit është një art. Jo gjithmonë kur topi ndodhet në limitet e zonës mund të përfundojë në rrjetë, por kur atë e godet Lionel Messi, shanset janë të shumta. Dhe këtë e konfirmoi i “shkreti” Espanyol, i cili në humbjen 4-0 u ndëshkua dy herë nga “Pleshti” me dy goditje magjike të tijat.

Ishte hera e parë që shënonte dy gola nga goditjet e dënimit në kampionat. Ndoshta, Pele ka të drejtë që thotë se Messi godet me një këmbë, por ajo e majtë është “vrasëse” nga jashtë zone. Nga viti 2014 dhe deri tani ai ka shënuar 19 gola me këtë mënyrë. Jo më shumë se çdo lojtar tjetër, por më shumë se shumë skuadra të tjera… E pamundur? Jo.

Sipas të dhënave, gjithçka është e vërtetë. Për ta mbajtur Leo Messin në krye duhet… Juventusi. Në vitet e fundit “Zonja” ka qenë “mbretëresha” e goditjeve të dënimit në 5 kampionatet kryesore, pa llogaritur Barcelonën. Sepse përveç Messit, aty ishte Neymar dhe tani është Coutinho.

Por, falë Dybalas dhe Pjanic, bardhezinjtë kanë shënuar 18 gola nga goditja e dënimit. Shumë, por jo mjaftueshëm për të parakaluar Messin. Shifra e jashtëzakonshme e Messit konfirmon faktin se skuadrat e tjera janë shumë mbrapa.

Në listë janë Lyoni, Reali i Madridit dhe Roma, të cilat pavarësisht arsenalit me “snajperistë” nuk kanë ditur të shënojnë më shumë se 14 gola. Surprizuese edhe shifra e madrilenëve, të cilët nga 2014 dhe deri disa muaj më parë kishin në ekip Cristiano Ronaldon. Mirëpo, portugezi duket se e ka humbur shënjestrën dhe nuk ka shënuar shpesh, për të mos thënë asnjëherë.

Me 13 gola nga goditjet e dënimit është Bajerni i Mynihut, i cili dominon në Gjermani, por as që i afrohet Leo Messit. Robben, Ribery dhe Alaba e kanë gjetur shpesh portën kur topi nuk është në lëvizje. Të gjithë së bashku kanë shënuar vetëm 13 herë. Me 12 gola është një treshe skuadrash.

Në këtë shifër është ndalur kampionati francez: PSG dhe Monaco kanë shënuar 12 herë nga goditjet e dënimit. Sigurisht që me transferimin e Neymarit, PSG e ka rritur përqindjen e realizimit, por nuk ka mjaftuar. Surpriza është Sampdoria, e cila gjendet në listë bashkë me dy ekipet e tjera franceze.

Anglia- Po në Premier League nuk e godasin portën nga goditjet e dënimit? Po, por shënohet shumë pak. Vetëm 11 gola kanë shënuar 2 të parat e klasës në Angli, të cilat janë Liverpooli dhe Chelsea. Por, tani duhet të shohim efektin Sarri në krye të bluve. Dhe në listën e skuadrave me 11 gola është edhe Milani, që në vitet e fundit nuk ka shkëlqyer shumë në këtë aspekt.
Shtuar më 10/12/2018, ora 16:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori