Gomez: Bergamo në zemrën time, kemi shkruar historinë e Atalantës
Papu Gomez i dha lamtumirën Atalantës, pas më shumë se 6 sezonesh me fanellën zikaltër, ku luajti 252 ndeshje dhe shënoi edhe 59 gola, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për ngjitjen e skuadrës në nivele të larta në Itali dhe Europë.

Fantazisti argjentinas u transferua te andaluzianët e Sevillas, me të cilën nënshkroi një kontratë të vlefshme deri në verën e 2024-ës, me pagë 3 milionë euro në sezon, ndërsa klubi spanjoll do të paguajë rreth 7.5 milionë euro për kartonin e tij në arkat e Atalantës.

Në fjalët e tij të para pas largimit nga bergamaskët, Gomez pranoi se e ka pasur të vështirë të largohet nga Atalanta, por edhe nga Italia, ku ka kaluar një pjesë të mirë të jetës, teksa theksoi se ndihet krenar për atë që ka bërë për klubin zikaltër.

“Jam i trishtuar, por edhe i kënaqur, Do të bëja gjithçka që kam bërë që prej ditës së parë te Atalanta, pasi kemi shkruar historinë e këtij klubi, tani nga më të mirët në Europë. Tifozët do të më mungojnë më shumë, pasi Bergamo është në zemrën time, është qyteti im. Është e vështirë të largohesh nga ky vend, pas shumë vitesh. Do të shihemi sërish, me siguri. Kam folur me Percassin dhe ai e di se çfarë mendoj. U uroj më të mirën të gjithëve, përfshi edhe Gasperinin”, tha Gomez.

Sulmuesi argjentinas pati një përplasje me trajnerin Gasperini, në lidhje me pozicionin në fushë, gjatë një ndeshjeje të Ligës së kampionëve në muajin nëntor të vitit të kaluar, çka solli më pas prishjen e marrëdhënieve edhe me drejtuesit e Atalantës, të cilët e lanë jashtë skuadrës për shumë javë.
Shtuar më 27/01/2021, ora 10:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori