Granit Xhaka tregon vuajtjet e familjes së tij, nga arrestimi i babait deri tek normalizimi i jetesës
Pëlqej
Granit Xhaka ka rrëfyer shumë gjëra, në lidhje me të kaluarën e familjes së tij në Kosovënë një intervistë për gazetën “The Guardian”. Babai i Granitit kishte kaluar tre vite e gjysmë në burg, si i burgosur politik nga sistemi jugosllav në Kosovë.

Prindërit e Xhakës emigruan në vitin 1990 për në Zvicër. Një vit më vonë, ata lindër djalin e tyre të madh, Taulantin, në Bazel. Ndërsa Graniti, lindi 18 muaj më pas. Xhaka flet edhe për ambientimin në Londër, teksa aktivizohet me Arsenalin.

“Me aq sa di unë, muajt e parë të burgut shkonin mirë, por më vonë filluan ta rrahin si i burgosur politik” – thotë Xhaka.

“Si biri i tij, kjo histori më prek thellënë zemër”, thotë Xhaka. “Për ta përshkruar babain tim siç duhet, duhet ta vlerësoni në thelb. Është kaq tragjike. Ndonjëherë e pyes: ‘Më trego përsëri’, sepse unë ende besoj që ai s’i ka zbuluar të gjitha. Ka patur gjithmonë momente të heshtura, kur unë kam parë se ai është përbirë për të mos zbardhur të vërtetën. Ndoshta ngaqë mund të ishte e rëndë dhe ai donte të na kursente nga pikëllimi”.

“Ai ishte kosovar krenar dhe mendonte se kishin të drejtën e ekzistencës. Qe ngritur për të drejtat e tyre që ishin themelore demokratike, siç është mundësia për të votuar. Por jo vetëm ai. Ishin arrestuar edhe të tjerë, përfshirë xhaxhain e tij, i cili ishte burgosur disa vite më përpara. Ai qëndroi 15 vjet në burg. Ishin burgime krejtësisht politike. Babai im po pyeste veten: ‘Pse nuk kemi demokraci këtu? Ne e meritojmë atë. Ne meritojmë që zëri ynë të dëgjohet’”.

Ta kuptosh Xhakën, do të thotë ta kuptosh familjen e tij, vuajtjet e tyre dhe gjithë atë që kanë bërë duke punuar pa u lodhur për të arritur diçka në jetë.

Parimet e tij janë besnikëria dhe respekti. Kur ai bën diçka, ai e bën atë me zemër dhe me shpirt, ashtu si babai i tij dhe ashtu si nëna e tij.

“Një nga detajet që flet më shumë për prindërit e mi është se ata u lidhën vetëm tre muaj para arrestimit të babait tim”, thotë Xhaka. “Prandaj e respektoj shumë nënën. Sepse kurrë nuk kam dëgjuar që një grua e cila ka një lidhje veç tremujore me dikë në moshë të re dhe që pastaj ta presë atë person për tre vjet e gjysmë. Nëna ime është njeri i jashtëzakonshëm”.

“Një nga gjërat më të çuditshme është se ne nuk e dimë pse babai im u lirua para se ta kryente dënimin, por ai doli nga burgu në të njëjtën kohë me xhaxhain e tij. Asnjë nga familja nuk e dinte që janë liruar, derisa ata qenë kthyer në shtëpi. Besoj se ata u liruan pasi mbajtën gojën mbyllur dhe nuk bënë probleme. Mund të kenë menduar se ata nuk paraqesin më ndonjë rrezik, por nuk mund të jem i sigurt për këtë gjë.

Prindërit e Xhakës e dinin se kishin nevojë për një fillim të ri dhe, në vitin 1990, ata emigruan në Zvicër. Djali i tyre i parë, Taulanti, do të lindte në Basel në vitin 1991, ndërsa Graniti pas 18 muajsh.

“Babai im tregoi forcë të madhe dhe Taulanti e unë u rritëm duke marrë fuqinë e tij mendore”, thotë Xhaka. “E kemi pasur idhull, shembull, që na mësonte se duhet të jesh i fortë për t’u bërë dikushi. Ne u bëmë të tillë. Prandaj në fushë ne kemi këtë fuqi mendore për t’i bërë gjërat mirë”.

Xhaka i detyrohet Zvicrës dhe mundësive që atij i ka ofruar ky shtet, por ai nuk mund dhe nuk do t’i harrojë rrënjët e tij shqiptare, të cilat e arrijnë atë edhe në Londër. Gjatë fotografimit për këtë intervistë në Camden Town, një kalimtar shqiptar pothuajse hyn në rrugën ku po bënim fotot, pasi njeh Xhakën. Ai u gëzua shumë kur Xhaka e përshëndeti atë në gjuhën shqipe.

“Kam gjetur këtu disa shqiptarë vërtet të mirë”, thotë Xhaka. “Disa prej tyre drejtojnë një autolarje të veturave ku unë laj veturën time. Flas me ta, kryesisht për futboll. Disa prej tyre janë mbështetës të Liverpool, të tjerë të Manchester United, dhe plot të tjerë të Arsenal. Bëjëm shumë shaka, por edhe ngucemi“.

Xhaka jeton në Barnet me bashkëshorten e tij, Leonitën, por ata kanë gjetur një shtëpi larg shtëpisë në Camden – një nga lagjet më eklektike të kryeqytetit britanik. Ata shkojnë atje disa herë në javë – për të bërë pazar, për të drekuar apo vetëm për t’u qetësuar.

“Ndjehem i lidhur me Camden se më kthen në fëmijërinë time”, thotë Xhaka. “Kur Taulanti dhe unë ishim fëmijë, bëmë udhëtimin tonë të parë me autobus nga Baseli në Prishtinë, në mënyrë që të mund t’i vizitonim gjyshërit për të parën herë. Mamaja dhe babai im punonin me orar të plotë dhe, por veç kësaj natën pastronin zyrat. Gjatë rrugës, autobusi ndalonte në vende të ndryshme ku shihja dyqane të cilat Camden mi kujton sot”.

“Jam njeri shumë i thjeshtë, e dua të zakontën dhe njerëzit e thjeshtë. Më pëlqen të ha ushqim të zakonshëm. Kjo lidhet me mënyrën si jam rritur. Në Camden më pëlqen atmosfera. Është e thjeshtë, e mirë, reale. Por po ashtu edhe njerëzit. Më pëlqen të bashkëbisedoj me ta sepse janë si unë – të thjeshtë. Ata ndoshta nuk presin që një lojtar i Arsenal të vijë në Camden Lock dhe, dhe të jetë krejt i zakontë”.

Duke ecur, Xhaka ndalohet nga Çarls, një nigerian tifoz i Arsenal, që muhabetin s’e nisë fort miqësisht.

“Je lojtar i mirë, por…”, fillon Çarlsi. Eh, po. Ai vazhdon argumentin e tij duke thënë se Xhakës i duhet një bashkëlojtar më i spikatur në vijën e sulmit, siç është Eden Hazard i Chelsea. “Do ta zgjidhja atë, në vend të Alexis Sanchez,” shton Çarls.

Duke qenë gjuha e tij e katërt – pas gjermanishtes, shqiptes dhe frëngjishtes – Xhaka nuk i kupton të gjitha ato që Çarlsi i thotë, ndaj më pas kërkon ta qartësojë. Ai është kurioz dhe i interesuar. Ai e di se për momentin Arsenal ka mjaft tifozë të tillë.

Arsenali renditet i gjashti në tabelën e Premier Ligës, tre pozita, përkatësisht katër pikë, poshtë Tottenham Hotspur, me të cilët Topçinjtë do të luajnë të shtunën pasdite në Emirates Stadium. Rivalët janë duke kaluar nëpër formë të shkëlqyeshme, por kjo s’është e vetmja arsye pse tash gjithçka ndjehet më në tension tek Arsenal.

Me këta lojtarë që janë tani dhe me trajner, Arsene Wenger, tifozët e kanë vështirë ta imagjinojnë se klubi do shpallet kampion. Dyshimet e tyre shtohen sa herë që Arsenal mposhtet.

Është krijuar një klimë negative e cila ua pamundëson lojtarëve që të japin maksimumin e tyre në rrethana të tilla.

“E merituam të kritikohemi edhe pasi nuk arritëm të kualifikoheshim në Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar”, thotë Xhaka.

“Normalisht – të paktën për mua – kritikat të bëjnë më të fortë, por për disa lojtarë të Arsenalit këto kritika nuk janë të mira, po i dëmtojnë ata”.

“Personalisht i përballoj kritikat, veçanërisht kur janë të merituara. Jam i tillë për shkak se babai i im, kurrënekurrës nuk më ka thënë ‘bravo’. Ai me qëllim vepronte kështu, që të qëndroj me këmbë në tokë. Tek ne gjithmonë gjërat nuk i bëjmë të mëdha; kurrë nuk e bëjmë shumë të madhe. Pas barazimit 0-0 me Chelsean në shtator mendova; Në rregull, tani mund t’ia nisim nga këtu’. Por, më pas humbëm 2-1 nga Watford-i dhe dyshimet filluan përsëri”.

Pas kësaj humbje Xhaka ishte kritikuar, madje sulmuesi i Watford-it, Troy Deeney, kishte akuzuar lojtarët e Arsenalit se nuk kanë “cojones” (bole).

“Nuk e njoh personalisht Troy Deeney, por kjo është çështje respekti”, thotë Xhaka. “Nëse ai beson qe ne nuk paskemi cojones, le të vijë në dhomën tonë të zhveshjes dhe ta sheh nga afër”.

Xhaka e urren të humbas. E kur ndodh, mbase s’është e tepër të thuhet se ai shkon në ekstrem me vet-hidhërim.

Sipas Leonitës, është e pamundur të flasësh me të për rreth një orë pasi ndeshja të ketë përfunduar.

Por, a e marrin edhe të tjerët në Arsenal humbjen kaq afër zemrës?

“Nganjëherë e kam vështirë të qetësohem”, thotë Xhaka.

“Mendoj shumë për humbjen. Çfarë unë bëra gabim? Kurrë nuk i kritikoj shokët e skuadrës para se ta gjykoj veten fillimisht. Gjithmonë kështu kam qenë, prejse fëmijë. A i bëj vetës presion më shumë se që duhet? Defintivisht po. Dhe me kohën po bëhet keq e më keq. Kur isha më i ri, s’mendoja kaq shumë për humbjet sa po e bëj tani”.

Leximi që Xhaka i bën lojës është i veçantë, ai është lojtari me më së shumti pasime të sakta vitin e kaluar në Premier Ligë. Tani është i treti në Listën e Optas. Ishte i mrekullueshëm edhe në Kupen FA në fitoren kundër Chelseas.

Por, Xhaka edhe është kritikuar për gabime në mbrojtje dhe ndërhyrjet e pamenduara.

Ai është skuqur dy herë në sezonin e fundit.

“Mendoja se futbolli në Angli ishte më i ashpër”.

“E pranoj vendimin për karton me Burnley, por jo edhe atë me Swansean. Më shumë isha i habitur se sa i inatosur në fillim. Gjithmonë e kam shikuar premier ligën dhe mendoj se disa ndërhyrje që po ndalen për të ashpra tani, më parë lejoheshin”.

Ndërsa pozicioni i Xhakës në fushë tek Arsenal ka qenë i paqartë prejse ka ardhur.

“Veten do ta përshkruaja si 10-tsh mashtrues, me fjalë të tjera si numër 10-të por që luan më prapa”, shpjegon Xhaka.

“Por, mendoj se jam lojtar i të dyja anëve të fushës (sulm e mbrojtje). Jam i bindur se kam aftësi të caktuara në futboll, por jam edhe luftëtar i paepur”.

Xhaka ka folur edhe për lojën kundër rivalëve të Tottenham.

“Askush s’ka nevojë të na motivojë. Është ndeshja e viti dhe duhet ta fitojmë. S’ka të bëjë me të luajturit futboll bukur, prandaj këtë herë s’ka as arsyetime. Thjesht duhet të fitojmë”. /KlanKosova/
Shtuar më 18/11/2017, ora 12:24

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori