Prej kohësh flitet për një marrëdhënie “të akullt” mes Lionel Messit dhe Antoine
Griezmann, ndërsa edhe ish menaxheri i këtij të fundit ka deklaruar se ylli argjentinas është shkak që
francezi nuk po përshtatet te Barcelona.
Megjithatë ka qenë vetë
Griezmann, që në një intervistë në “Universo Valdano” deklaroi se jo vetëm që ka marrëdhënie shumë të mira me Lionel
Messin, por ka qenë pikërisht këshillimi me të, që e shtyu të pranojë
ofertën e Barcelonës.
“Unë kam vetëm respekt dhe admirim për
Messin dhe ai e di mirë këtë. Ish menaxherin, nuk e takoj që prej ditës së dasmës time. Unë refuzova
ofertën e parë nga Barcelona dhe erdha aty një vit me vonesë. Kur fola me
Messin, më tha se kisha bërë gabim që kisha refuzuar
ofertën e parë dhe se do të ishte në krahun tim deri në vdekje. Dhe këtë po e bën çdo ditë”, deklaroi
Griezmann.
Ndonëse
francezi ka vendosur “t’i hedhë ujë zjarrit të ndezur” për raportet e tij me
Messin, bashkëjetesa e tyre në fushën e lojës duket shumë e vështirë dhe Koeman është trajneri i tretë që po provon t’i bëjë të luajnë bashkë, por pa sukses.
Antoine
Griezmann u transferua te Barcelona verën e 2019-ës, pasi katalanët vendosën të paguajnë 120 milionë eurot e parashikuara në klauzolën për prishjen e kontratës së tij me klubin e Atleticos së Madridit.
Së fundi
francezi ka drejtuar gishtin e akuzës edhe ndaj trajnerit aktual Ronald Koeman, pasi në një intervistë për mediat e vendit të tij, deklaroi se me Francën shkëlqen, duke qenë se Deschamps di ta vendosë në pozicionin e duhur.
Shtuar më 24/11/2020,
ora 11:23