"Grimca" shprese për Klopp, Jota rikthehet nga dëmtimi
Buzëqesh Jurgen Klopp. Pas shumë lajmeve të këqija dhe ecurisë tejet negative të skuadrës në këtë sezon të Premier League, vjen edhe një lajm i mirë për trajnerin gjerman.

Një prej risive më të bukura të The Reds në këtë edicion sulmuesi portugez Diogo Jota i transferuar te Liverpool nga Ëolves në verë për 47 milionë euro, është shumë pranë rikuperimit të plotë nga dëmtimi. Sipas raportimit të "Telegraph", portugezi do të vijojë të stërvitet me ekipin gjatë javës, por stafi mjekësor nuk dëshiron që të rrezikojë shumë me të.

Prandaj me shumë mundësi, Jota do të mungojë dhe në duelin e kësaj fundjave me Sheffield United. Më pas do të jetë i gatshëm për trajnerin Klopp duke filluar nga ndeshja kundër Chelsea, më 4 mars. Diogo Jota e filloi shumë mirë aventurën e tij me Liverpool, duke surprizuar edhe tifozin më pesimist të tyre.

Ai arriti të shënojë nëntë gola në 17 ndeshje mes kampionatit dhe Championsit, duke ia bërë "jetën" të vështirë trajnerit Klopp për zgjedhjet e tij. Në sfida të caktuara për t’i bërë vend në formacion 24-vjeçarit luzitan, Klopp uli në stol brazillian Roberto Firmino ndërkohë që në disa raste u detyrua të hedhë në fushë 4 sulmues teksa përkrah treshes fantastike Mane-Salah-Firmino u rreshtua edhe Diogo Jota.

Që nga dëmtimi i sulmuesit portugez në fillim të muajit dhjetor filloi edhe tatëpjeta e Liverpoolit në Premier League kështu që rikthimi i tij mund të konsiderohet një "ogur" i mirë për skuadrën e Klopp.

Shtuar më 23/02/2021, ora 11:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori