Guardiola gati 100 milionë euro për yllin e Interit
Milan Skriniar nuk mund të preket. Interi ngre “barrikada” përreth mbrojtësit të vet dhe është gati ta blindojë liderin e prapavijës. Mediat britanike bëjnë me dije se sllovaku është në shënjestër të Manchester City, më konkretisht të Pep Guardiolës.

Trajneri katalanas, duke njohur moshën e avancuar të Kompany dhe Otamendi, sipas “Mirror” është gati të “vendosë në pjatë” 100 milionë euro për Skriniar, në mënyrë që të bindë Interin. Megjithatë, klubi zikaltër e ka bërë të qartë, nuk ka ndërmend ta shesë Skriniar për asnjë lloj çmimi.

Mbrojtësi sllovak, gjithashtu, i pëlqen Barcelonës dhe Real Madridit, por tashmë ka arritur një marrëveshje për të rinovuar me zikaltrit deri në vitin 2023, me premtimin se shumë shpejt, shiriti i kapitenit, që së fundi kaloi nga Icardi te Handanovic, mund të përfundojë në krahun e tij.

Sipas “Tuttosport”, pritet që Skriniar të ndryshojë menaxherin, duke ia deleguar të drejtat Mino Raiolës, shkruan TS. Një zgjedhje që nuk e tremb Interin, gjithsesi. I vetmi faktor, që e kërcënon të ardhmen e Skriniar tek Interi, do të ishte dështimi për t'u kualifikuar për Ligën e Kampionëve. Një arsye tjetër për zikaltrit, që të japin maksimumin në sprintin e këtij sezoni.
Shtuar më 25/03/2019, ora 12:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori