Guardiola kërkon kohë: Nuk jemi ende gati
Pëlqej
I njëjti skenar ashtu si një vit më parë dhe sërish në "Signal Iduna Park". Sezoni për Bayern Munchen me Pep Guardiolën në stol zyrtarisht filloi me humbjen në Superkupën e Gjermanisë, kundër një Dortmundi të motivuar e në formë. Tekniku spanjoll i kishte dalë të keqes përpara kur tha se nuk i kishte të gjithë lojtarët në formë dhe pas ndeshjes, refreni ishte i njëjti.

"Na duhet më shumë kohë që të përgatitemi për fillimin e kampionatit", ishte kryefjala në reagimin e Guardiolës pas disfatës së parë sezonale.

"Bëmë një lojë të mirë në 15 minutat e para, por më pas patëm një seri problemesh. Pastaj në pjesën e dytë u tërhoqëm nga presioni i kundërshtarit. Na duhet më tepër kohë që të përgatitemi dhe të stërvitemi më shumë. Në përgjithësi luajtëm mirë. Problemin më të madh e patëm në kontrollin e lojës", vijoi tekniku i kampionëve të Gjermanisë.

Një trofe i humbur në një sezon që nisi me shijen e hidhur të disfatës në kampin bavarez. Ashtu si Guardiola, edhe prurja më e fundit, Robert Lewandowski pohoi se Bayerni nuk dha maksimumin kundër ish skuadrës së tij, duke u justifikuar me turin e vështirë përgatitor. /albeu.com/
Shtuar më 14/08/2014, ora 10:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori