Guardiola mbyll merkaton e Bayern Munchen
Pëlqej
Vetëm pak orë para përballjes me Borussia Dortmund në Superkupën e Gjermanisë, Pep Guardiola u shfaq i shqetësuar para gazetarëve. Trajneri i Bayern Munchen deklaroi se ndryshe nga një vit më parë, në dispozicion ka shumë pak lojtarë që janë në formën optimale. Në këto kushte, hakmarrja bavareze për humbjen 4-2 në "Signal Iduna Park", duket një mision më shumë se i vështirë për teknikun spanjoll.

"Vitin e shkuar ishim më të fortë në Superkupën e Gjermanisë. Kam vetëm 8 apo 9 futbollistë në formë, asnjë më tepër. Do të vendos për formacionin pasi të kem biseduar me të gjithë lojtarët. Kjo është një finale, jo një test stërvitor dhe unë e kam të qartë se çfarë duhet të bëjmë. E njohim kundërshtarin dhe e dimë sa të vështirë do ta kemi. Dortmundi është një ekip me kundërsulme të rrezikshme dhe strukturë të fortë në mbrojtje", shprehet Guardiola.

Më pas vëmendjen spanjolli e kaloi te merkatoja e verës, duke paralajmëruar se te Bayerni nuk do të ketë më prurje të reja, pavarësisht disa mungesave nga dëmtimet.

"Jo, jo. Nuk do të vij asnjë lojtar tjetër, pasi jam i kënaqur me këtë skuadër. Tani presim vetëm rikthimin e atyre që janë në proces rikuperimi", tha i prerë Pep.

Ashtu si në Superkupën e vitit të shkuar, Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen do të përballen në shtëpinë e verdhezinjve, në një finale që veç trofeut, vlen për të treguar edhe potencialin e dy gjigantëve të Bundesligës. /albeu.com/
Shtuar më 12/08/2014, ora 14:31
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori