"Guardiola nuk e le Bayernin për City-n"
Ndryshe nga zërat që kanë qarkulluar së fundi, te Bayern Munchen janë të bindur se Pep Guardiola nuk do të largohej nga "Allianz Arena" për një klub si Manchester City. Madje spekulimet kanë shkuar deri aty sa është përfolur për diskutime konkrete mes drejtuesve të "Citizes" me trajnerin e bavarezëve.

Megjithatë Karl-Heinz Rummenigge është i qetë dhe i bindur se Guardiola do të qëndrojë më gjatë nga sa parashikon kontrata aktuale.

"Nuk shqetësohem nga këto zëra, përkundrazi këto tregojnë se Pep është trajner që vlen shumë. Nuk mund ta imagjinoj që ai të largohet për një klub si Manchester City. Jam i bindur se do të qëndrojë te Bayerni të paktën deri në qershor 2016 dhe ndoshta edhe më gjatë. Kemi një plan, do të mbyllim këtë sezon dhe në pjesën e dytë të vitit do të flasim për rinovimin. Guardiola është më i miri, ndër më të kërkuarit në botë dhe i ka përmbushur pritshmëritë që kishim", ka thënë drejtuesi i Bayern Munchen, citon "Goal.com".

Qëndrimi i shefit ekzekutiv të Bayernit nuk lë vend për spekulime në lidhje me të ardhmen e spanjollit. Vetë Guardiola ka refuzuar të flasë për planet e tij, ndërkohë që është i përqëndruar te lufta për të tre trofetë, në kampionat, Kupë dhe Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 23/04/2015, ora 10:41
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori