Gustavo: I nderuar nga interesimi i Barças
Mesfushori i Wolfsburg, Luiz Gustavo i mirëpret spekulimet që e lidhin atë me Barcelonën. Futbollisti i kombëtares braziliane u transferua në "Vokswagen Arena" gushtin e kaluar kur nënshkroi një marrëveshje deri në vitin 2018 duke refuzuar interesimin e Arsenalit gjatë procesit, por në media të ndryshme është përfolur për një largim të shpejtë pasi Barcelona kërkon të forcojë radhët e saj për të mbrojtur titullin në La Liga. Presioni i të luajturit për një klub të madh është familjar për Gustavon që u bashkua me Wolfsburgun pas eksperiencës me Bayern Munchen, skuadër me të cilën regjistroi 100 prezenca në dy vjet e gjysmë, duke qenë pjesë e triumfit të trefishtë historik sezonin e kaluar.

Tashmë 26-vjeçari është i kënaqur tek shikon emrin e tij të lidhet me një lëvizje në "Camp Nou" duke zbuluar se edhe më parë ka qenë në dijeni të interesit nga katalanasit.

"Është gjithmonë diçka e mirë kur emri yt lidhet me Barcelonën. Kjo është hera e tretë që ata interesohen për mua. Unë kam një kontratë me kohështrirje të gjatë në të cilën parashikohet dhe shuma e blerjes së kartonit, dhe nëse dikush dëshiron ta paguajë atë mund të nënshkruajë me mua", është shprehur braziliani.

Barcelona e mbylli 2013 si bashkëkryesuese e La Ligas me Atletico Madrid dhe e rifillon fushatën e saj në kampionat në 5 Janar në sfidën në shtëpi me Elchen. /lbeu.com/
Shtuar më 28/12/2013, ora 11:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori