Haaland tregon se është Solskjaer ai që e ka mësuar të jetë "makineri" golash
Sulmuesi i Borussias së Dortmundit Erling Haaland ka zbuluar edhe sekretin e shënimit të golave të shumtë, me të cilët ka tërhequr vëmendjen e botës mbarë. Në një intervistë për Eurosport, sulmuesi norvegjez tregon disa detaje të karakterit të tij dhe të karrierës futbollistike deri tani.

Një nga zbulimet e këtij sezonit, Haaland madje ka treguar edhe sekretin se si ai arrin që të jetë një makineri e vërtetë golash. Shumë interesante fjalët e tij për një ndeshje kur ai aktivizohej me Molden në kampionatin norvegjez dhe trajner i asaj skuadre ishte ai që tashmë drejton Manchester United, Ole Gunar Solskjaer.

"E kujtoj shumë mirë atë moment. Luanim një ndeshje kundër Brannit. Përpara asaj ndeshjeje unë dhe Solsjkaer bëmë pak praktikë përpara portës. Kujtoj që më ka mësuar disa rregulla të thjeshta që i kishim parë në stërvitjet përpara asaj ndeshjeje. Më ka mësuar të jem shumë i qetë dhe të jem shumë i kujdesshëm për të lexuar situatat në mënyrë që të kuptoj se ku do të përfundojë topi. Dhe kur e kupton shumë mirë diçka të tillë, e ke shumë të lehtë që të shënosh. Solskjaer ka meritën e madhe që më ka mësuar këto gjëra", theksoi Haaland, i cili deri më tani i ka mahnitur të gjithë me performancën e tij në Bundesligë duke thyer rekord pas rekordi që në debutimin e tij në Gjermani.

Madje shumë shpejt flitet se sulmuesi norvegjez mund të bëjë një hap cilësor në karrierën e tij për të luajtur në një klub më të madh.
Shtuar më 11/04/2020, ora 19:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori