Habit mesfushori i Tiranës: Ishim më mirë se Kukësi
Asion Daja i gëzohet trofeut të radhës së bardhebluve, por më shumë krenohet me lojën. Në një deklaratë të dhënë pas Superkupës, mesfushori theksoi se bardheblutë jo vetëm që nuk e meritojnë rënien, por ishte më lart se Kukësi, që mban ende “kurorën” e kampionëve në fuqi.

“Trofetë janë gjithnjë të rëndësishëm, sidomos në anën morale, ndaj edhe Superkupa ka vlerë të madhe për ne. Prodhuam lojë dhe raste, por e rëndësishme është që treguam se nuk jemi një ekip që meriton të jetë në inferiore. Meritojmë shumë më shumë, por ky është realiteti. Me atë paraqitje që bëmë, treguam që jemi shumë më lart sesa Kukësit.

Mendoj se po të ishte një i huaj, që nuk do t’i njihte ekipet, nuk do ta kuptonte se cili është ekipi që do të jetë në të Parën dhe kush në Superiore. Ndoshta mund të mendonte se ishte Kukësi në inferiore”, u shpreh fillimisht Daja. Daja e thotë hapur që s’e ka kuptuar ende që Tirana ka rënë nga kategoria.

“Të tregohem realist, ende nuk e kemi kuptuar që kemi rënë. Besoj se kur të nisë kampionati, do të ndeshemi me një realitet krejt tjetër. Do t’i shohim më mirë kur të zbresin në fushë”, u shpreh Daja.

Të luash në Kategorinë e Parë nuk është se të bën të ndihesh mirë dhe i këtij mendimi është edhe mesfushori, ndërsa thotë: “Unë nuk kam luajtur kurrë të them të drejtën dhe personalisht di të them që qëndrova vetëm se ishte Tirona, pasi ndryshe nuk kisha ndër mend që të rrija”, përfundoi mesfushori i qendrës. /Panorama/

Shtuar më 08/09/2017, ora 16:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori