Hamilton fiton ne Stamboll
Albeu.com
Një tentativë e gabuar për parakalim e Sebastian Vettelit ndaj Mark Webber i ka kushtuar këtij të fundit Çmimin e Madh të Stambollit në Formula 1. Nga gafa e pilotëve të Red Bullit përfitoi piloti i McLarenit Lewis Hamilton.Fati i garës së Stambollit u vendos në xhiron e 41, kur ndodhi edhe kontakti mes dy makinave Red Bull, që deri në atë moment kryesonin garën. Menjëherë pas incidentit, Sebastian Vettel u detyrua të lërë garën, ndërsa Mark Webber u fut në bokse për të dalë prej andej në vendin e tretë.
Pas këtij episodi gara u kryesua nga dy makinat McLaren, përkatësisht vendi i parë nga Hamilton dhe i dyti nga Jenson Button. I katërti në garën e sotme në Stamboll arriti Michael Schumacher, kurse i pesti Rosberg.
Pikët e siguruara nga kjo garë i japin kryesimin e përgjithshëm për skuderi skuadrës britanike me 172 pikë, një më shumë se Red Bull dhe të ndjekur nga Ferrari me 146, transmeton Top Channel.
Për pilotë, edhe pse u rendit vetëm i treti në garën e sotme, Mark Webber vazhdon të kryesojë renditjen me 93 pikë, i ndjekur tashmë nga Jenson Button me 88 dhe Lewis Hamilton me 84 pikë.
Ndërkohë, pilotët e Ferrarit kanë zhgënjyer në këtë pistë duke u renditur përkatësisht Masa në vendin e 7-të dhe Alonso në të 8-in.

Formula 1 rikthehet pas më 13 qershor me Çmimin e Madh të Kanadasë.
Shtuar më 30/05/2010, ora 17:13
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori