Hasi: Pse e refuzova Shqipërinë
Përfundon “telenovela” Hasi. Madje pa filluar mirë, ndonëse gjatë këtyre ditëve ajo ka qenë temë e ditës. Të martën në mbrëmjen e vonë, ish-futbollisti kuqezi Besnik Hasi, ka konfirmuar se ka përfunduar pa sukses bisedimet me FSHF-në, që ky i fundit të marrë drejtimin e kombëtares shqiptare të futbollit. Ndonëse ka pasur një dëshirë të dyanshme, që çdo gjë të përfundojë me nënshkrimin e kontratës, e cila sipas të gjitha gjasave do të zyrtarizohej nga presidenti Duka këtë javë, nuk ka ndodhur.

“Më duhet të mbetem me Anderlehtin, ekipi im nuk ka shprehur gatishmëri të prishë kontratën që kam me këtë ekip. Ky është një vendim i vështirë, por përfundimtar diçka që është jashtë vullnetit tim”, – është shprehur Hasi, nëpërmjet një sms-je nga Brukseli.

Besnik Hasi ka qenë i preferuari i presidentit të FSHF-së, Armand Duka, i cili ka pasur një përkrahje të opinionit sportdashës lidhur më këtë zgjedhje, pasi parimisht është vlerësuar se ka ardhur koha që kuqezinjve t’u prijë një trajner shqiptar. 40-vjeçari nga Gjakova ka zhvilluar 47 ndeshje për kombëtaren shqiptare dhe gëzon respekt të madh për atë që ka treguar në radhët e kuqezinjve.

Ai në 2007 ka përfunduar karrierën e futbollistit dhe prej asaj kohe punon si zv/tranjer i Anderleht në Belgjikë, që drejtohet nga tekniku i njohur belg, Ariel Jakobs. Shqiptari Hasi ka mbrojtur licencën për trajner UEFA-Prof në Belgjikë dhe gëzon simpatinë e klubit dhe tifozëve në Bruksel. /albeu.com/
Shtuar më 03/11/2011, ora 13:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori