Hazard ironizon Tottenhamin: Ta gëzoni stadiumin
Tottenham Hotspur ka inauguruar me pompozitet stadiumin e vet të ri këtë të mërkurë, në fitoren 2-0 arritur ndaj Crystal Palace, ndërkohë që klubi shpreson të ketë një të ardhme të ndritur në fushë e jashtë saj, pasi të ardhurat dhe interesimi rreth klubit do të rritet ndjeshëm.

Gjithsesi, mesfushori i Chelseat Eden Hazard nuk sheh ndonjë ndryshim madhor në aspektin sportiv, pasi sipas tij Chelsea ka një status superior, falë mentalitetit fitues dhe trofeve të shumtë që ka ngritur në dekadat e fundit/

Hazard shënoi në ndeshjen e fundit dhe pas ndeshjes e pranoi se fakti që Chelsea nuk është në qendër të vëmendjes në këtë moment është një avantazh. "Njerëzit nuk flasin shumë për Chelsean, kur diskutohet për 4 vendet e para, dhe kjo më pëlqen", tha belgu, i cili ka fituar 5 trofe në 7 vite që luan në Angli.

"Po qëndrojmë në heshtje, në vendin e pestë apo të gjashtë, duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës, pa e parë renditjen. Kemi ndeshje të vështira përpara, me Liverpool e Manchester United, por Chelsea është një klub elite. Na pëlqen kjo sfidë dhe do të kërkojmë fitoren edhe në ato përballje, sepse në fund duam të jemi në katërshen e parë.

"Mendoj se Tottenhami ka qenë ndër ekipet më të mira në Angli në 2-3 vitet e fundit. Si lojtar i Chelseat, kjo gjë nuk më pëlqen, të jem i sinqertë, sepse kemi një derbi të madh me ta, por duhet t'i pranojmë gjërat.

"Për Premier League është diçka e mirë: stadium i ri, skuadër me lojtarë të shkëlqyer. Megjithatë, në fund fare stadiumi nuk ndryshon asgjë, nuk i fiton trofetë. Chelsea ka fituar shumë trofe, Tottenhami jo. Uroj që kjo të vazhdojë".
Shtuar më 04/04/2019, ora 15:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori