Henrikh Mkhitaryan me deklaratë thumbuese për ish-trajnerin e tij
Arsene është një trajner më i dashur, kurse Mourinho shumë i rreptë”, Mkhitaryan tregoi dallimin mes trajnerit francez dhe atij portugez.

Sulmuesi armen kaloi te “Topçinjtë” e Londrës si shkëmbim me Alexis Sanchez dhe duket se është përshtatur shumë shpejt me skuadrën e tij të re.

Mjaftuan vetëm pak ditë për Mkhitaryan për të shpjeguar edhe ndryshimet mes Arsene Wenger dhe Jose Mourinho, duke theksuar se francezi i trajton më mirë futbollistët e tij.

Arsene është një trajner më i dashur. Të kupton shumë mirë dhe e vendos veten e tij në vendin e lojtarëve. Është një person më i qetë. Ky është ndryshimi me Murinhon që kërkon shumë nga lojtarët. Ai është shumë i rreptë”, tha armeni.

Henrikh Mkhitayan u transferua te Manchester United në vitin 2016 si një nga më premtuesit e Premier League, por në muajt e fundit ai pa të humbiste vendin në formacionin bazë të Manchester United.

Megjithatë, Miki u largua krenar nga “Old Trafford” dhe këtë e thotë ai vetë.

“Kam lënë përshtypje të mira në Mançester, edhe pse hasa në vështirësi. Fituam 3 tituj në një vit e gjysmë dhe jo të gjithë klubet e arrijnë këtë. Fituam në Europa League dhe unë shënova një nga golat”, deklaroi Mkhitaryan.

29 vjeçari u transferua në “Old Trafford” në vitin 2016 nga Borussia Dortmundi, duke bërë 63 paraqitje për Djajtë e Kuq në të gjitha garat, teksa ka realizuar edhe 13 gola. /albeu.com/
Shtuar më 10/02/2018, ora 17:30
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori