Hetimi për shitjen e së drejtës televizive, FSHF: Ky është një lloj sulmi
Pëlqej
Nis “lufta” mes organeve shtetërore dhe FSHF-së. Është vetë institucioni i futbollit shqiptar që vendos alarmin për marrëdhëniet me disa nga organet më të rëndësishme në vend. Së fundmi, shkas është bërë një hetim që Autoriteti i Konkurrencës ka nisur për shitjen e së drejtës televizive të kampionatit shqiptar. Ka folur shefi i zyrës juridike në FSHF, Aldi Topçiu, i cili ka sqaruar kontrollin e fundit që është bërë, si dhe problematikën me policinë apo edhe injorimin e prokurorisë për bashkëpunim.

“Nga Autoriteti i Konkurrencës na është kërkuar ditë më parë dokumentacioni i shitjes së të drejtës televizive për Kategorinë Superiore. I kemi vënë në dispozicion të gjithë informacionin që ka kërkuar, ndërsa ka hapur një hetim për këtë çështje. Tashmë, si pjesë e këtij hetimi, ka ardhur sërish në FSHF dy ditë më parë, duke kërkuar informacione shtesë dhe bërë investigime. Autoriteti i Konkurrencës me ligj duhet të mbrojë konkurrencën midis ndërmarrjeve, mirëpo FSHF së pari nuk është një ndërmarrje dhe së dyti nuk merr fonde nga shteti”, është shprehur fillimisht shefi i zyrës juridike në FSHF.

Topçiu bën të ditur se kjo është një situatë jonormale pune, pasi shteti i ka mbyllur derën FSHF-së dhe po pengon në aktivitetin që ka për detyrë të ushtrojë në lidhje me organizimin e kampionatit dhe disa gjëra të tjera.

“Për çështjen më të fundit, FSHF ka qenë bashkëpunuese për aq sa i takon, duke i vendosur në dispozicion çdo gjë Autoritetit të Konkurrencës, ndërsa çuditërisht na kanë kërcënuar, duke na thënë se do të vijnë këtu me polici. Kemi zbatuar ligjin, ndërkohë që vetë Autoriteti i Konkurrencës nuk ka qenë transparent në atë që ka kërkuar në FSHF. Nuk na është dhënë një informacion paraprak se cili është objekti i kontrollit. Urdhri fillestar ka qenë vetëm për të drejtën televizive, ndërsa kanë ardhur më pas dhe kanë kërkuar të dinë sesi i cakton FSHF çmimet e biletave, si zgjedh sponsorët, etj. Pra, ka qenë diçka e zgjeruar dhe jonormale për kompetencat që ka ky organ. Nëse objekti i hetimit është shitja e së drejtës televizive, nuk mund ta zgjerosh këtë kontroll, duke kërkuar më pas gjëra pa sens. FSHF ka vendosur në dispozicion të gjithë procedurën e shitjes së të drejtës televizive, qoftë si kanë ardhur ofertat apo përmbajtja, etj. Mirëpo, Autoriteti i Konkurrencës është zgjeruar duke bërë një presion të hapur. Nuk mund ta them unë tani se në çfarë rrethane është, por gjërat janë të thjeshta për t’u kuptuar se çfarë po bëhet. I kemi pyetur se çfarë dokumentesh kërkojnë dhe na janë përgjigjur: ‘të gjitha’. Por, çfarë të gjitha?! Pra, edhe ata nuk janë konkretë. Edhe Autoriteti i Konkurrencës vetë është i sforcuar në atë që kërkon. Tashmë na kërcënon edhe me policinë! Ana ligjore e kësaj është shumë e dyshimtë, ne nuk jemi ndërmarrje që cenojmë konkurrencën. FSHF nuk merr asnjë lekë nga shteti dhe shitjen e së drejtës televizive e kemi bërë duke zbatuar çdo ligj në fuqi. Kjo që ka ndodhur së fundmi, është një situatë jonormale pune, ku shteti të mbyll derën dhe të pengon në aktivitetin që FSHF ka për detyrë të ushtrojë”, deklaroi Topçiu.

Për zyrtarin e lartë të institucionit të futbollit, ky sulm që po i bëhet FSHF-së është në vazhdën e presioneve që kanë kërkuar të vendosin edhe institucione të tjera shtetërore.

“Ky është një lloj sulmi që ka nisur më parë me tatimet, ka vazhduar me gjykatën, stadiumet, policinë etj. I kemi bërë kërkesë prokurorisë për ndeshjet e trukuara dhe s’kemi marrë asnjë përgjigje prej tre muajsh. Kemi kërkuar të ulemi me policinë për të diskutuar sigurinë në stadiume dhe prapë s’kemi marrë asnjë përgjigje, por vetëm shkresa formale, ku na tregohet ligji i ndryshuar për sportin. Në njëfarë mënyre FSHF është në një situatë të paprecedentë ku institucionet nuk e mbështesin ose më saktë nuk bashkëpunojnë me ne. Shteti në vend që të na ndihmojë, na krijon tashmë pengesa. Mjafton të përmend edhe çështjen e stadiumit të ri, që është absurde. Ministria është vetë aksionere në këtë investim madhor që po bëhet dhe nuk sillet në interesin e firmës si aksionere, por nxjerr pengesa të tilla, duke mos rimbursuar TVSH-në. Bëhet fjalë për një shifër relativisht të lartë që pengon investimin”, përfundoi Topçiu.

Ndërkohë, për lëvizjet më të fundit të disa organeve shtetërore, pritet që FSHF të njoftojë UEFA-n dhe FIFA-n. /PS/
Shtuar më 10/11/2018, ora 23:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori