Hapen stadiumet për tifozët e vaksinuar?
Prej thuajse një viti stadiumet e futbollit në Itali vijojnë të jenë të mbyllura për publikun, ndërsa në një dalje për mediat, Administratori i Ligës së Serisë A, Luigi Di Siervo, pranoi se dëmi që u është shkaktuar klubeve, është vërtetë shumë i madh.

“Mungesa e tifozëve u ka shkaktuar klubeve një dëm të paimagjinueshëm, që aktualisht prek shifrën e 700 milionë eurove, që mund të shkojë edhe më tepër se një miliardë, nëse kjo situatë do të vijojë deri në fund të sezonit”, u shpreh Di Siervo.

Pa tifozët në tribuna, edhe futbolli ka humbur një pjesë të spektaklit, ndërsa Di Siervo tregohet i gatshëm të bashkëpunojë me politikën për të rritur ndërgjegjësimin për vaksinim, teksa hedh idenë për lejimin në shkallët e stadiumit të atyre që kanë bërë tashmë vaksinën.

“Një stadium me tifozë gjeneron entuziazëm te futbollistët dhe e bën ndeshjen më tërheqëse edhe për ata që e ndjekin nga ekrani, duke rritur automatikisht edhe të ardhurat nga sponsorët. Ne jemi gati të bashkëpunojmë me politikën edhe për fushatën e vaksinimit, ndaj tani kemi hedhur idenë që të lejohen hyrja në stadium e atyre që janë vaksinuar tashmë. Kjo është një rrugë drejt rikthimit gradual në normalitet”, tha kreu i Ligës së Serisë A.
Shtuar më 26/01/2021, ora 13:23
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori