Higuain: Nuk dilja nga shtëpia pasi kisha frikë nga njerëzit
Gonzalo Higuain ka kaluar një sezon të vështirë, fillimisht me fanellën e Milanit dhe më pas me atë të Chelsea. 31-vjeçari, që në janar u transferua te skuadra londineze, nuk po përshtatet si duhet me Premier League.

Në një intervistë për "Let’s Talk Football", ai ka rrëfyer disa momente të rëndësishme të jetës së tij private.

"Gjithnjë jam penduar që jam fshehur në shtëpi dhe që nuk kam dalë në rrugë, pasi kisha frikë nga ajo që mund të më thonin njerëzit. Mendoj se ky është pengu më i madh i jetës time", tha Higuain.

"Ka njerëz që bëjnë shumë gabime dhe dëme në jetë, thonë gjëra të gabuara apo gënjeshtra dhe e bëjnë atë pa patur aspak frikë. Ne futbollistët nuk vrasim njeri, thjesht bëjmë punën tonë. Ne bëjmë sport, nuk mund të vrasim njeri", tha Higuain.

Më tej, argjentinasi shton: “Njerëzit thonë se fitojmë shumë parà, por miqtë nuk blihen me parà. Kam festuar shumë ditëlindje apo Krishtlindje, por gjithnjë me persona të ndryshëm. Për 14 vite me radhë. Për të takuar nënën time ajo duhet të marrë një avion dhe të udhëtojë 15 orë. Unë mund t’i blej asaj një biletë, por nuk e kam këtu kur kam nevojë".

"Njerëzit nuk i kuptojnë këto gjëra. Ata shohin vetëm nëse bën gol apo jo. Na gjykojmë nëse nuk shënojmë dhe kjo është e tepërt. Gjithsesi, tani jam në një fazë të jetës ku asgjë nuk më bën më përshtypje. Kam luajtur në kampionatet më të mëdha në botë, më ekipet më të madha. Kur isha 5 vjeç nuk e kisha imagjinuar këtë gjë", tha Higuain.
Shtuar më 21/04/2019, ora 12:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori