Higuain: Të gjejmë ritmin e sezonit të shkuar
Salla e konferencave të shtypit në qëndrën stërvitore të Realit të Madridit ishte mbushur nga gazetarët e armatosur deri në dhëmbë për të nxjerrë diçka nga Jose Mourinho, por trajneri portugez zgjodhi rrugën më të shkurtër, duke ia deleguar kompetencat sulmuesit Gonzalo Higuain.

Për të qetësuar ambientin kastilian pas çështjes Casillas dhe mungesës së tij në ceremoninë e dorëzimit të Topit të Artë, tekniku portugez ia besoi mikrofonin argjentinasit në prag të ndeshjes kundër Osasunas, por që gjithsesi "El Pipita" nuk iu shmang dot pyetjeve të lidhura me të ardhmen e Mourinhos.

"Ai është trajneri jonë dhe ka një kontratë që besoj se do ta respektojë. Unë nuk jam në kokën e tij për të mësuar vendimin që ka marrë por kam shumë besim se do të vazhdojë punën e nisur".

Pamplona është ndalesa e radhës për kampionët e Spanjës por Higuain tregohet realist, duke pohuar se shanset që Reali të përsërisë suksesin e vitit të shkuar, janë të pakta.

"Është e vështirë por duhet të luftojmë deri në fund. Duam të rigjejmë ritmin që kemi pasur dhe për këtë nevojitet shumë punë. Të gjithë në skuadër janë të rëndësishëm dhe të gjithë duan të tregojnë veten e tyre ndaj Osasunas. Pamplona është një fushë e vështirë, por ne do të kërkojmë të marrim maksimumin", deklaroi El Pipita.

Një mendim për ecurinë e tij gjatë fazës së parë të sezonit dhe zërave të merkatos, 25-vjeçari nuk mund të mos e shkëpuste në intervistën përpara gazetarëve.

"Fizikisht ndihem mirë edhe pse dy muajt e fundit kanë qenë shumë të vështirë. Nuk dua të ndalem dhe mendoj se jam i gatshëm për të dhënë maksimumin gjatë 90 minutave. Falcao te Reali? Konkurrenca nuk më tremb. Mendimet e mija përqëndrohen vetëm tek e tashmja dhe nuk u jap shumë rëndësi zërave mediatikë", u shpreh Higuain.

Në fund të konferencës, Higuain tregohet hermetik rreth interesimit të mediave për marrëdhëniet mes Mourinhos e kapitenit Casillas.

"Nuk dua të flas për këtë temë sepse skuadra është e bashkuar. Ne jemi në krah të Mourinhos dhe do të vazhdojmë ta mbështesim", përfundoi sulmuesi argjentinas. /albeu.com/
Shtuar më 11/01/2013, ora 18:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori