Hodgson: Nuk e jap dorëheqjen!
Roy Hodgson këmbëngul se nuk ka ndërmend të dorëhiqet pas disfatës 2-1 kundër Uruguajit. Pas golit të parë nga Luis Suarez dhe pas barazimit që erdhi nga Wayne Rooney, La Celeste kaloi sërish në avantazh dhe sërish nga sulmuesi i Liverpool-it. Gabimin e Gerrard në mesfushë, Suarez e shfrytëzoi në mënyrë perfekte duke vërshuar drejt portës së anglezëve e duke i ndëshkuar për t’i lënë me zero pikë në fund të Grupit D.

Sido të shkojë rrugëtimi i kombëtares së "Tre Luanëve" në këtë botëror, për Hodgson, misioni vazhdon.

"Unë them jo. Nuk kam ndërmend të dorëhiqem. Jam vërtet i kënaqur me mënyrën se si u përgjigjën lojtarët dhe me punën që kanë bërë deri më sot. Sigurisht që jam i zhgënjyer, por nuk mendoj se duhet të tërhiqem. Nëse federata mendon se unë nuk jam i duhuri për këtë punë, atëherë do të jetë vendimi i tyre, jo i imi", ka thënë tekniku i "Tre Luanëve".

Suksesi kundër Uruguajit, qoftë edhe barazimi, do të ishte një hap përpara drejt qëndrimit për anglezët.

"Për ta patur të sigurt vazhdimësinë na duhej patjetër fitorja ose barazimi, por për fat të keq nuk ia dolëm. Mendoj se në përgjithësi arritëm ta kishim nën kontroll Luis Suarez, pavarësisht depërtimit në golin e parë. Pastaj përsa i përket të dytit, ishte një gabim i Gerrard duke e lënë të lirë Suarez në rrugën drejt portës dhe aty, ai asnjëherë nuk gabon", vijoi Hodgson.

Në vlerësimin që i bëri dy takimeve, Roy Hodgson tha në fund se Anglia e tij ka shfaqur qartë elementë të një futbolli të bukur, por janë rezultatet ato që vendosin gjithçka dhe në këtë rast, rezultatet kanë munguar. /albeu.com/
Shtuar më 20/06/2014, ora 14:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori