Hyka: Nuk do të kthehem më në San Jose
Pëlqej
“Hykaçu” nuk kthehet më! Beniamini i tifozëve të San Jose Earthquake në Amerikë bën me dije se nuk rinovon me skuadrën amerikane, por “toka e premtuar” nuk është mundësi e përfunduar për të ardhmen e tij.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori i Tiranës tregon si e ka gjetur klubin 24 herë kampion me të cilin po stërvitet, problemet që ka, situata në dhomat e zhveshjes dhe çfarë duhet të bëjë për të kaluar këtë moment. 30-vjeçari tregon situatën në Kombëtare, si e nisi në Ligën e Kombeve, si dhe raportin e Panuccit dhe De Biasit me humbjen.

• Po stërviteni te Tirana, si e keni gjetur pas shumë vitesh?

"Normale që nuk është në një moment siç kam qenë unë në atë kohë, periudhë në të cilën ekipi luftonte për kampionat dhe Kupë. Për momentin është një situatë e vështirë, por shoh se djemtë janë duke punuar fort. Janë djem të rinj dhe kanë vullnet, ndaj besoj se do të dalin nga kjo situatë dhe të ngjiten sa më lart.

• Çfarë ju pëlqen te kjo skuadër momentalisht, a ka diçka?

"Siç e thashë, prania e shumë të rinjve. Megjithatë, kjo gjë sjell edhe problemet e veta dhe unë shpresoj që ta kuptojnë sa më shpejt se Tirana është një ekip shumë i madh dhe të japin akoma edhe më shumë nga vetja e tyre për të arritur në ato nivele që duhet.

• Kush e bën diferencën sipas jush në këtë ekip, ekziston një i tillë?

"Me çfarë kam parë edhe në stërvitje, ka lojtarë cilësorë. Megjithatë, nuk është puna e individit, pasi forca e Tiranës duhet të jetë grupi. Nuk janë si në të shkuarën, kur kjo skuadër kishte edhe shumë lojtarë individualë. Forca e grupit është ajo që mund të bëjë diferencën.

• Renditja e tradhton, po realisht a është kaq e dobët Tirana sa për të qenë në atë vend në krahasim edhe me ekipet e tjera?

"Me çfarë kam parë dhe shoh çdo ditë edhe në stërvitje në rreth një muaj, ku kam ndjekur edhe katër ndeshjet e fundit të Tiranës, nuk shoh ndonjë ndryshim. E kam parë ndaj Partizanit, Skënderbeut apo edhe në ndeshje të tjera dhe ka bërë gjithmonë lojë të mirë, ndaj nuk besoj se ekziston një ndryshim shumë i madh me të tjerat.

• Po ku çalon, fitorja erdhi pas tetë takimesh ndaj Kastriotit?

"Puna është se djemtë janë pak në presion besoj dhe, sipas meje, duhet të çlirohen nga ana psikologjike. Kjo është shumë e rëndësishme.

• Ju jeni edhe në dhomat e zhveshjeve çdo ditë në stërvitje, si është atmosfera dhe sa besim ka grupi që mund të tejkalojë këtë situatë?

"Në fakt, nuk është se bëjmë shumë muhabet rreth kësaj gjëje. Më tepër bëjmë biseda jashtë çështjes apo edhe shaka miqësore. Megjithatë, tensioni ndihet dhe unë shpresoj shumë që ta tejkalojnë sa më shpejt ngërçin psikologjik dhe të arrijnë aty ku duhet.

• A e pyesin Hykën sesi ka qenë Tirana që fitonte tituj?

"Në fakt jo shumë (qesh…). Më shumë pyesin sesi janë ekipet jashtë shtetit ose pyesin për Amerikën. Megjithatë, besoj se ata e dinë vetë sesi ka qenë Tirana, e kanë parë, e kanë dëgjuar dhe nuk do shumë fjalë që ta shpjegosh se kush është ky klub. Në të kundërt, shpresoj ta kuptojnë sa më shpejt!

• Cili është kurioziteti i tyre, për jetesën apo futbollin në Amerikë?

"Të dyja dhe normalisht është diçka e ndërthurur. Besoj se është më shumë pjesa e jetesës, duke parë edhe televizion apo filma dhe ato që e përshkruajnë Amerikën tërhiqen më tepër nga ky muhabet. Por pyesin edhe për futbollin që është në rritje dhe mbase pas disa vitesh mund të arrijë në nivele të larta si në Europë.

• Jeni pa kontratë dhe është thënë se s’do rinovoni. Çfarë plani keni?

"Është e vërtetë që nuk do të kthehem më në San Jose. Momentalisht po pres dhe po vlerësoj disa muhabete, le t’i quajmë kështu, deri në momentin që do të shndërrohen në oferta apo projekte konkrete.

• Europë apo Amerikë, ku jeni i prirë?

"Jam i hapur për çdo gjë. Kam edhe në Amerikë edhe në Europë. Unë shpresoj që të zgjidhet sa më shpejt që të kem mundësi të nis stërvitjen me ekipin e ri.

• Për cilat skuadra apo kampionate bëhet fjalë?

"Jua thashë që nuk ka ofertë apo diçka konkrete.

• Çfarë prioritetesh keni, jetesën apo ekipin dhe një projekt?

"Në fakt, unë nuk jam në një moshë ku mund të thuash se do të kërkoj patjetër një ekip për karrierë. Besoj se duhet të shoh edhe jetesën.

• Në këtë sens, Hyka po pret atë që quhet “kontrata e jetës”. Apo jo?

"Jo, nuk do të thosha ashtu se jam 30 vjeç dhe mund të bëj edhe dy kontrata. Normalisht që edhe ana financiare është shumë e rëndësishme. Duhet të ketë ndërthurje të jetesës, anës financiare dhe të jetë një ekip që të luajë në nivele të mira.

• Si është situata në Kombëtare, në ndeshjet e fundit që ishit me të?

"Isha ndaj Izraelit dhe Skocisë, dy të parat dhe pastaj pësova një dëmtim në fytyrë që më la jashtë fushave. Në atë periudhë mund të them se e nisëm mirë dhe ishte atmosferë e mirë. Pra, fituam me Izraelin, por me Skocinë nuk na shkoi siç deshëm. Por, edhe aty do punë, pasi është moment tranzicioni ku janë ndërruar shumë lojtarë. Uroj që gjithçka të rregullohet në eliminatorët e reja nga marsi e tutje.

• Grupi i Shqipërisë në kualifikuese, çfarë opinioni keni?

"E ndoqa dhe, përveç Francës që besoj se dihet që është pretendentja kryesore e nuk bëhet fjalë, Islanda dhe Turqia mund të jenë për momentin pak më mirë sesa ne, por gjithsesi nuk i shoh në një gjendje super siç ka qenë Islanda para dy viteve apo Turqia disa vite më parë. Shanset janë, tani le t’ia lëmë fushës.

• Keni nisur edhe edicionin e kualifikueseve para “Euro 2016” dhe, sipas jush, Shqipëria ka më shumë apo më pak shanse?

"Normalisht që në atë vit kur u kualifikuam, u bënë shumë gjëra bashkë: Na ndihmoi fati, grupi ishte shumë i mirë, bëmë ndeshje të mira. Tani jemi në moment tranzicioni dhe nuk do ta kemi shumë të lehtë që të kualifikohemi, por futbollit nuk i dihet. Nëse krijojmë një grup të mirë lojtarësh, unë mendoj se shanset tona ekzistojnë edhe për kualifikim.

• Ku ndryshon ai nga De Biasi?

"De Biasi besoj se kishte më shumë eksperiencë. Panuçi është një trajner i ri dhe nuk ka eksperiencë shumë të madhe. De Biazi pak a shumë e kuptoi shumë shpejt mentalitetin e futbollit këtu. Shpresoj që edhe trajneri ta kuptojë sa më shpejt dhe është diçka që do ta ndihmojë shumë.

• Në sjelljet me futbollistët, përshtypja e krijuar është se De Biazi ishte më i afrueshëm me lojtarët, kurse Panuçi më i rreptë. E drejtë?

"Çdo trajner ka personalitetin e tij dhe secili ka planin e vet, ndaj nuk mund t’i gjykojmë.

• Thjesht si konstatim i krijuar nga jashtë, është i tillë apo jo?

"S’mund ta them sepse me të dy kam pasur marrëdhënie pak a shumë njësoj. Marrëdhënie profesionale.

• Si sillet secili prej tyre në raport me humbjen në dhomat e zhveshjes?

"Çdokush, kur humb, sillet njësoj. Edhe lojtarët, edhe trajneri janë të mërzitur.

• Kush bërtet më shumë?

"Bërtasin? Është normale që pas një ndeshjeje të humbur ka të bërtitura dhe nuk bëhet nami për këtë gjë. Kur humb, mërzitja është normale", përfundoi Hyka
Shtuar më 13/12/2018, ora 23:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori