"I thashë babit dua të bëhem si ai", talenti më i ri i Juventusit i befason të gjithë: Numrin 44 e mbaj nga Januzaj
Juventusi është një nga ato klube që nuk dëshiron t’i lërë talentet e Serie A t’i shpëtojnë nga duart.

Në janarin e shkuar bardhezinjtë paguan për kartonin e një prej talenteve më premtues, Dejan Kulusevski, i cili do vihet nën urdhërat e Sarrit sezonin e ardhshëm, pasi u la në huazim deri në fund të kampionatit te Parma.

Mesfushori suedez është vetëm 20-vjeç dhe me shumë mundësi një ardhme e sukseshme e pret përpara.

Në një intervistë për “Sky Sports”, Kulusevski ka folur gjatë për zgjedhjet e bëra prej tij dhe për idhujt në futboll, ndërsa ka zbuluar edhe një histori interesante që lidhet me numrin që mban mbi shpinë. 44-a është numri i shënuar në fanellën e tij, por i habitshëm është fakti se frymëzimi për një këtë numër ka ardhur nga… Januzaj. Më tej mesfushori i talentuar ka shpjeguar edhe arsyen.

“Një ditë isha në Suedi me babanë tim dhe po shikonim një ndeshje të Manchester United. Në një moment të caktuar një djalë që ishte vetëm 17 vjeç bëri debutimin e tij, por që hyri me një personalitet të pabesueshëm. Ishte Januzaj dhe ai kishte numrin 44. Unë i thashë babit që një ditë doja të isha si ai, se doja të luaja pa frikë, por vetëm me qëllimin për t’u argëtuar”, ka shpjeguar Dejan Kulusevski për numrin 44 në fanellën e tij.
Shtuar më 27/05/2020, ora 23:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori