Ibrahimoviç: Klanet pengonin Interin të fitonte
Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimoviç ka folur rreth eksperiencës së tij te skuadra e Inter me të cilën fitoi edhe titullin kampion të Serisë A. Sipas bomberit suedez, te zikaltrit ka patur klane mes lojtarëve dhe kjo e pengonte të kishin sukses në Itali dhe Europë.

"Sfida e vërtetë e imja ishte të mposhtja ato dreq grupimesh, që ishin tek Interi. I urreva që nga dita e parë dhe nuk e bëra vetëm prej faktit që unë vija nga Rosengard, një vend ku kishte lloj-lloj njerëzish: turq, somalezë, jugosllavë, arabë. Ishte sepse e kisha parë mjaft qartë, si tek Juventusi ashtu edhe tek Ajaksi. Të gjitha skuadrat ecin më mirë kur mes lojtarëve ka mirëkuptim. Tek Interi ndodhte e kundërta. Në njërin cep uleshin brazilianët, në tjetrin argjentinasit, dhe diku tjetër një grupim i tretë", u shpreh Ibra për "Gazzetta dello Sport".

"Ishte një budallallëk. Ecja vërdallë dhe i pyesja: “Ç’është kjo histori? Pse qëndroni veçmas si të ishit fëmijë?”. Këto pengesa të padukshme ishin mjaft shqetësuese për mua. Prandaj vendosa të shkoja tek Morati në momentin e parë që e pashë të arsyeshëm. Interi kishte shekuj që s’fitonte kampionate. A do të vazhdonim të ecnim kështu? Duhet të ishim humbës vetëm sepse lojtarëve s’u pëlqente të flisnin me njëri-tjetrin? “Normalisht jo”- tha Morati. “Atëherë duhet t’i prishim këto dreq klanesh të mallkuara. Nuk mund të fitojmë nëse grupi nuk është i bashkuar”, përfundoi Zlatan Ibrahimoviç për periudhën e tij te klubi i Inter. /albeu.com/
Shtuar më 10/11/2011, ora 13:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori