Ibraimi thumbon Milanin: Milanistët shqiptarë do e zbukurojnë sfidën, por ata janë lojtari jonë i 12-të
Pëlqej
Besart Ibraimi është padyshim një nga lojtarët simbol të Shkëndijës së Tetovës. Golat e tij kanë çuar skuadrën tetovare drejt fazës “play-off” të Ligës së Europës për të dytin vit radhazi, ku këtë radhë do të ketë përballë Milanin e madh. Lideri i kuqezinjve, në një intervistë të dhënë për “Corriere Della Sera”, ka treguar kënaqësinë se shkon drejt kësaj sfide si përfaqësues i shqiptarëve në të gjithë botën dhe pa u trembur nga emrat e mëdhenj që ka përballë.

Në vigjilje të ndeshjes së parë, cilat janë ndjesitë tuaja për sfidën me Milanin?

Të luash kundër një skuadre si Milani të jep gjithmonë ndjesi të bukura. Ditën e shortit, shumë nga ne deshën si kundërshtare pikërisht skuadrën kuqezi: është si një ëndërr që bëhet realitet. Jemi me të vërtetë të lumtur që kemi mundësinë që të luajmë kualifikimin në fazën në gupe pikërisht kundër tyre.

Shkëndija përfaqëson popullatën shqiptare në Maqedoni: çfarë nënkupton për ju të jeni flamurmbajtësit e popullit tuaj?

Për mua është një kënaqësi e madhe, përveçse një nderim. Ia lë çështjet politike të tjerëve, pasi ne jemi thjesht futbollistë, por mund të them se unë ndjehem shqiptar dhe jam krenar që jam i tillë. Përveç të tjerave, shumë nga bashkëkombësit e mi janë tifozë të Milanit dhe kjo do t’i japë më shumë shije ndeshjes tonë të ardhshme.

Grupimi juaj i tifozëve, “Ballistët”, është i famshëm në të gjithë Europën për ngrohtësinë e tij. Sa do të jetë vendimtare mbështetja e tyre në “San Siro” e sidomos në ndeshjen e kthimit në Maqedoni?

Ne i cilësojmë me të vërtetë si njeriu i 12 në fushë: na mbështetin gjithmonë, në çdo ndeshje, nga minuta e parë deri në të fundit. Besojmë shumë te mbështetja e tyre për ndeshjen në Milano dhe jam i sigurt se shumë të tillë do të jenë të pranishëm dhe në Shkup, ku do të duhet të luajmë ndeshjen e kthimit pasi stadiumi ynë në Tetovë nuk është i përshtatshëm për ndeshje të tilla.

Kohët e fundit, Blerim Xhemajli ka treguar në Twitter mbështetjen e tij për Shkëndijën, çfarë do të thotë për ju të keni mbështetjen e tij dhe të Darko Pançev?

Shkëndija përfaqëson një simbol në të gjithë territoret shqiptare dhe çdo shqiptar në çdo vend të botës, bën tifo për skuadrën tonë. Sigurisht që është një kënaqësi dhe të bën të lumtur që lojtarë të mëdhenj dhe që një legjendë e vërtetë e futbollit maqedonas, si Pançev, bëjnë tifo për ne.

Ju keni pasur mundësinë që të njihni nga afër futbollin e madh europian, duke luajtur te Shalke. Çfarë kujtimesh keni nga ajo eksperiencë?

Brenda meje është ende i gjallë kujtimi i debutimit në Bundesligë, kundër Frajburgut. Ajo eksperiencë më ka ndihmuar që të rritem si futbollist e si profesionist edhe pse kam luajtur pak në Gjermani, por nuk kam asnjë peng. Çdo gjë që ndodh në jetë përfaqëson dëshirën e Zotit.

Cilin futbollist të Milanit keni më shumë frikë? Çfarë sjellje do të keni në fushë në ndeshjen e parë?

Nuk kam frikë nga asnjë kundërshtar, por sigurisht ndjej një respekt të madh për ata sepse janë të gjithë futbollistë të mëdhenj.

Në përqindje, sa mundësi mendoni se keni për të kaluar Milanin?

Nuk bëj parashikime, mund të them vetëm se ne të gjithë do të japim maksimumin, plotësisht të ndërgjegjshëm për kundërshtarin që do të kemi përballë.

[ Përkthyer dhe përshtatur nga Panorama Sport Online ]
Shtuar më 16/08/2017, ora 11:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori