Icardi për sfidat e Championsit: Jam gati për ndeshjet e vështira
Pëlqej
Mauro Icardi luajti 85 minuta me skuadrën e Argjentinës pasi u thirr nga trajneri Scaloni. Sulmuesi u rikthye të luajë për vendin e tij pas mungesës në kupën e botës ku Argjentina bëri një paraqitje të turpshme.

Kapiteni i Interit zhvilloi një ndeshje të mirë edhe pse nuk arriti të shënonte. Ai ishte i rrezikshëm në disa sulme të skuadrës bardhekaltër. Pas ndeshjes Mauro foli për mikrofonat e “TYC Sport”, duke treguar për rikthimin e tij në kombëtare.

“Luajtëm një ndeshje të mirë, në skuadër është rikthyer një grup i mirë. Personalisht u ndjeva shumë mirë dhe bëra atë që më kërkoi trajneri. Dëmtimi ka kaluar dhe jam stërvitur gjatë gjithë javës duke mos ndier asnjë dhimbje në fushë. Nuk arrita të shënoj, isha shumë pranë golit, por vetëm disa centimetra më ndalën. Por jam i sigurt që herët a vonë goli do të vijë, ndaj nuk shqetësohem, jam i lumtur për rikthimin dhe kjo ka rëndësi për mua”, u shpreh kapiteni i Interit.

Bomberi foli edhe për ndeshjet e ardhshme me skuadrën zikaltër, e cila në fundjavë do të luajë në shtëpi ndaj Parmës dhe më pas në Champions kundër Totenhemit.

“Me Interin dua të bëj të njëjtën gjë që bëra me kombëtaren. Në Argjentinë erdha më shumë se i karikuar ashtu siç jam edhe kur luaj me klubin tim. Kam pritur shumë të jem pjesë e kombëtares sime. Mosgrumbullimi në Kupën e Botës ka qenë diçka e vështirë për mua. Tani me Interin na presin ndeshje shumë të vështira, por jam gati për to”, përfundoi Icardi.
Shtuar më 13/09/2018, ora 21:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori