"Ika me 5 euro në Portugali, isha i uritur", ish-ylli i Realit rrëfen historinë e jetës
Shumë futbollistë sot bëjnë një jetë luksoze, paguhen mirë, kanë vila, makina dhe deri në avionë privatë, por dikur kanë qenë si gjithë të tjerët, për të mos thënë të uritur. E tillë është edhe historia e ish-mbrojtësit të Real Madrid, Pepe.

Ai sot aktivizohet në radhët e skuadrës së Portos në Portugali, por teksa rrëfen historinë të dhimbshme për revistën "Tribuna Expresso", ai kujton fillimet e karrierës, teksa ka qenë e vështirë kur mbërriti në Evropë.

Mbrojtësi me origjinë braziliane, që prej vitesh është aktivizuar me kombëtaren e Portugalisë, ka folur për problemet financiare që kishte në kohën kur mbërriti në këtë vend për herë të parë.

Ai arriti me vetëm 5 euro dhe preferoi të telefononte babanë e tij në vend që të blinte ushqim. Në moshën 18 vjeç, ai udhëtoi nga Brazili në Portugali për të luajtur për Maritimo.

"Kur mbërrita në Portugali nga Brazili, kisha vetëm 5 euro. Këto para i kisha për ta lajmëruar nënën time që jam mirë. Por, në aeroport qëndrova shumë, andaj isha edhe i uritur. Por, prapë vendosa që ato para t’i shfrytëzoj për t’i telefonuar familjes.

Kaloi kohë dhe unë vdisja nga uria. U afrova te ‘Pans-Company’ dhe i pyeta ata se a kanë diçka për të ngrënë, në të vërtetë aty kishte shumë gjëra, por unë s’kisha para. Ndërkohë një punonjës aty ma dhuroi një sanduiç.

Ai nuk e dinte se kush isha, as unë s’e njohja atë. Nga ai moment e tutje, unë gjithmonë i kam ndihmuar të tjerëve. Madje kjo është arsyeja pse zgjodha Portugalinë" – përfundoi mbrojtësi 37-vjeçar, Pepe
Shtuar më 16/01/2021, ora 19:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori