Immobile bën "celibrimin" me Lazion, rinovon për 5 sezone
Pas dy sezonesh të vështira të kaluara mes Gjermanisë, Spanjës dhe Torinos, Ciro Immobile u transferua te Lazioverën e 2016-ës dhe që atëherë nuk ka të ndalur me golat e tij, aq sa në 178 ndeshje me kryeqytetasit, numëron plot 125 gola të shënuar.

Në sezonin e fundit sulmuesi italian arriti të tundë rrjetën për plot 36 herë në kampionat, duke fituar edhe Këpucën e Artë në Itali e në Europë, ndërsa tani në moshën 30-vjeçare ka vendosur ta mbyllë karrierën te Lazio.

Kjo sepse pas disa muajsh negociata, më në fund Immobile dhe Igli Tare kanë arritur marrëveshjen për të rinovuar kontratën aktuale dhe për ta zgjatur vlefshmërinë e saj deri në verën e 2025-ës, kur sulmuesi të ketë 35 vite mbi shpinë.

Mediat italiane raportojnë se me kontratën e re janë përmirësuar ndjeshëm edhe termat ekonomikë, si paga dhe bonuset që sulmuesi do të përfitojë gjatë qëndrimit të tij te skuadra bardhekaltër.

Pas sezonit të fundit, ku me meritë ia doli të rikthehet në Ligën e Kampionëve, Lazio synon të bëjë hapa të tjerë drejt rritjes së klubit dhe duket se gjithçka ka filluar me trajnerit Inzaghi e Ciro Immobilen, që do të jenë baza e skuadrës edhe për sezonet në vijim.
Shtuar më 31/08/2020, ora 11:43
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori