Inter, Hernanes: Të uritur për fitore
Pëlqej
Anderson Hernanes karikon Interin. Në një intervistë Profeti bëri me dije ambiciet e tij për sezonin e ri, ku natyrisht mbi gjithçka qëndron suksesi i skuadrës.

"Ndihem mirë por nuk e kam arritur ende formën time optimale. Më nevojiten edhe disa ditë përgatitje për të kapur ritmin. Madje jam kthyer më herët nga pushimet pikërisht për këtë. Përsa i përket sezonit të ri, dua të themInteri ka shumë dëshirë për të fituar edhe unë po ashtu. Dëshiroj të bëj diçka të jashtëzakonshme për të ndihmuar sa më shumë skuadrën", shprehet braziliani.

Më pas mesfushori foli për Botërorin, që për Brazilin e tij u mbyll me dy humbje të turpshme ndaj Gjermanisë dhe Holandës.

"Kupa e Botës ishte diçka fantastike që përjetova në vendin tim. Është e vërtetë që për ekipin tonë gjërat nuk shkuan edhe aq mirë, megjithatë sa i përket organizimit gjithçka ishte perfekte. Me Gjermaninë ndodhi ajo që ju e patë të gjithë dhe neve nuk na mbetet gjë tjetër vecse të shohim me optimizëm nga e ardhmja", vijon Hernanes.

Një koment i 29-vjeçarit edhe për blerjet e reja të Interit në merkaton e verës: "Osvaldo? Të jeni të sigurt se ai te Interi do të shkëlqejë më shumë se unë. Në lidhje me Medel dua të them që ai është një futbollist i madh, di të përshtatet në shumë pozicione dhe mendoj se do të na përmirësojë akoma edhe më tepër si skuadër".

Por çfarë u premton Hernanes tifozëve të Interit për sezonin e ri? "Nuk dëshiroj tju premtoj asgjë. E sigurt është se do të punoj fort për të ndihmuar ekipin. Në futboll rezultatet arrihen vetëm me punë dhe përkushtim". /albeu.com/
Shtuar më 13/08/2014, ora 17:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori