Inter, Icardi: Nuk mund të flas për të ardhmen
Mauro Icardi refuzon të flasë për të ardhmen e tij, duke preferuar të përqëndrohet te e tashmja pasi po kalon një nga momentet më pozitive në radhët e Interit. Bomberi argjentinas, që barazoi bashkëkombasin Carlos Tevez me 14 gola gjatë këtij sezoni në Serie A, po gjen formulën e vazhdimësisë nën drejtimin e trajnerit Roberto Mancini.

Por nga ana tjetër, zërat për një largim të mundshëm nuk kanë munguar edhe pse vetë lojtari preferon të përqëndrohet te aventura në Milano.

"Tani luajmë më mirë se në të shkuarën dhe besoj se kemi filluar të aplikojmë filozofinë e trajnerit të ri. Nuk ka qenë aspak e lehtë por duhet të shikojmë përpara. Rinovimi i kontratës? Nuk mund të flas në këto momente sepse janë agjenti im dhe drejtori sportiv Ausilio të cilët po punojnë me këtë çështje", ka thënë Icardi.

Në vijim të intervistës, Icardi u shpreh i lumtur për golin e shënuar nga Kovaçiç në transfertën e Cagliarit, pasi mesfushori ballkanas ka kaluar ditë të tensionuara dhe plot kritika.

"Jemi të gjithë të lumtur për Mateon. Askujt nuk i pëlqen që të ngrohë pankinën dhe më vjen mirë që gjeti golin", vijoi argjentinasi.

Në pole pozition për të rrëmbyer talentin argjentinas nga radhët e Interit qëndron Atletico Madrid pasi Diego Simeone e konsideron atë si pasardhësin ideal të Diego Costas në qëndër të sulmit "Los Colchoneros". /albeu.com/
Shtuar më 24/02/2015, ora 13:14
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori