Inter, Mazzarri: Dua sa më parë titullin kampion
Pëlqej
Walter Mazzarri është i kënaqur nga merkato e verës dhe i karikuar në vigjilje të sezonit që sapo nisi. Trajneri i Interit analizon situatën në shtëpinë zikaltër, për lëvizjet e kryera por edhe punën e bërë në fushë gjatë fazës përgatitore.

"Kemi punuar mirë gjatë verës, edhe në merkato ku klubi ka vepruar me kujdes. Kemi ndërtuar një grup kompetitiv. Më pëlqen të fitoj sa më parë titullin kampion, por është herët dhe nuk dua të krijoj iluzione për asnjë", është shprehur tekniku livornez.

53-vjeçari që drejton Interin në sezonin e dytë radhazi kërkon të largojë presionin e titullit kampion, të paktën për momentin. Mazzarri sheh të tjera skuadra në garën për titull si pretendentët kryesorë.

"Si profesionist dëshiroj të fitoj sa më shpejt titullin kampion. Por të flasësh tani është shumë herët. Juventus, Roma dhe Napoli kanë treguar sezonin e kaluar se janë shumë të fortë. Më pas është edhe Fiorentina, Milani që ka lëvizur mirë në merkato pa harruar edhe Lazion", vijoi Mazzarri.

Pavarësisht se kishte shumë tratativa, në fund Fredy Guarin qëndroi me zikaltërit. Mazzarri i ka idetë e qarta për pozicionin në fushë se ku duhet të luajë kolumbiani sezonin e ri.

"Jam i lumtur që Guarin qëndroi. Do të zbresë në fushë vetëm nëse e meriton. Ai ka luajtur më mirë pas dy sulmuesve dhe për këtë arsye do të jetë njëri nga 4 sulmuesit. Në mesfushë besoj shumë tek Hernanes dhe Kovaçiç", u shpreh tekniku zikaltër. /albeu.com/


Shtuar më 03/09/2014, ora 15:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori