Inter, si mund të arrihet vendi i tretë
Rregulli i parë i ndjekjes së vendit të tretë: kurrë nuk duhet folur për të. Nuk është një “Fight Club”, por do jetë një betejë e vështirë: Interi nuk dëshiron të flasë për kualifikim në Ligën e Kampioneve, duke i qëndruar strikte filozofisë “hapat merren një nga një”, por ndryshimi i trendit me ardhjen e Stramaçonit, fitorja ndaj Genoas, humbjet e Lazios, Udineses dhe Napolit kanë rihapur perspektivat evropiane.

Që janë të vështira, për të mos thënë gati-gati të pamundura, duhet pranuar, por gjithsesi nuk mund të hiqet si mundësi. Tetë ndeshje, shtatë pikë për t’u rikuperuar ndaj Lazios së vendit të tretë, 24 pikë në total. Matematika lë shumë shpresa, parashikimet e reduktojnë shifrën, por nuk e zhdukin totalisht.

Përse jo - Le ta nisim nga faktorët kompleksë. Fillimisht, Interi aktualisht nuk është në vendin e katërt, por në të shtatin. Kjo gjë nënkupton se zikaltrit nuk duhet të rikuperojnë pikë vetëm ndaj Lazios, por edhe ndaj tri skuadrave që e paraprijnë në renditje: Napoli +4, Udinese +4 dhe Roma +3.

Së dyti, përballjet direkte janë negative me Romën dhe Napolin ende me Udinesen dhe Lazion, por zikaltrit do t’i luajnë në transfertë. Vetëm me skuadrën e Rejës për momentin, ekipi milanez është në avantazh (2-1 në “San Siro”), Udinese ka fituar në transfertën zikaltër 1-0.

Së treti, eksperienca e së kaluarës ka treguar se nuk mund të arrish vendin e tretë pa siguruar 70 pikë të paktën. Tani, nëse Interi do t’i fitonte të gjitha takimet, do arrinte në kuotën e 68 pikëve.

Së katërti, versioni 2011/ 2012 i Interit ka treguar se kjo skuadër nuk është e besueshme si një makinë gjermane.

Përse po - Përmbysja duket e çmendur, por ka 25 milionë arsye (eurot që fitohen me pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve) për të besuar te realizimi. Ka edhe disa faktorë pozitivë.

Së pari, përballjet direkte të lartpërmendura mund të injektojnë besim të madh te skuadra dhe ndoshta edhe parakalime të momentit të fundit. Është e vërtetë që këto ndeshje do luhen në transfertë, por asnjë prej skuadrave rivale të Interit nuk duket të jetë në momentin më të mirë.

Së dyti, kalendari nuk është i pamundur. Përveç Udineses dhe Lazios, pengesa është Milani, por në derbi nuk do të mungojnë stimujt. Pastaj janë përballjet me Cagliari, Siena, Cesena dhe Parma.

Së treti, Interi i këtij sezoni ka siguruar seri të gjata si fitoresh, edhe humbjesh. Për pasojë ekziston e drejta për të besuar një rikthim pozitiv, sidomos tani, që sipas lojtarëve, është rikthyer entuziazmi. Së katërti, faktori psikologjik mund të luajë një rol pozitiv. Liga e Kampioneve konsiderohej e humbur që më parë, tani zikaltrit mund të tentojnë mrekullinë pa shumë presion mbi kokë. /albeu.com/
Shtuar më 05/04/2012, ora 14:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori