Urdhëri i Thohir: Inter me stadium të ri
Pëlqej
Erick Thohir ka vendosur: Interi do të ketë stadiumin e tij të ri. Modeli që po ndjek Roma me në krye presidentin James Palotta ka intriguar jo pak manjatin indonezian me këtë të fundit që dëshiron të ndërtojë një stadium të ri për Interin e tij. Mbeten ende për t’u përcaktuar detajet por shumë rrugë të çojnë te një rimodelim i mundshëm i stadiumit "Giuseppe Meazza".

Shumë shpejt, Milani dhe Interi do të ulen në një tryezë për të diskutuar projektin. Sipas asaj që bën të ditur "Gazzeta Dello Sport", ideja e Thohir është të rinkonstruktojë "La Scala"-n e futbollit, pra me pak fjalë San Siro të ndryshojë fytyrë dhe të kthehet nga një stadium që aktualisht ka një kapacitet prej 80 mijë vendesh në një impiant shumë më modern në shkallët e të cilit nuk do të mund ta ndjekin një ndeshje më shumë se 55 mijë persona.

Erick Thohir ka përcaktuar kështu rrugën e ringritjes së Interit. Presidenti kërkon që klubi e tij të rrisë të ardhurat dhe për ta bërë këtë zikaltrit duhet të kenë një stadium të ri, dhe në pronësi të tyre. Modeli që indoneziani kërkon të ndjekë është mëse i qartë dhe tashmë mbeten për t’u përcaktuar vetëm mënyra dhe periudha në të cilën do të fillojë ndërtimi i stadiumit të ri.

Edhe pse ideja e parë është një rimodelim i "Giuseppe Meazza"-s, nuk përjashtohet as mundësia që Interi të ndërtojë një stadium të ri në zonën ku do të zhvillohet Expo apo në një tjetër zonë private e cila mund të zgjidhet nga drejtuesit e klubit zikaltër.

Gjithsesi fillimisht përpara se të marrin një vendim drejtuesit e Interit duhet të takohen me ata të Milanit për të parë edhe qëllimet e tyre. Në fakt është programuar një takim mes Barbara Berlusconit dhe Fassones ku do të diskutohen të gjitha këto detaje.

Dëshira e bosit indonezian është që Interi të ketë stadiumin e tij të ri në vitin 2018. /albeu.com/
Shtuar më 09/09/2014, ora 14:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori