Interesim i lartë për ndeshjen ndaj Francës, "avullojnë" biletat
Mbeten ende 8 deri në 9 000 bileta për sfidën ndaj Francës, sfidë e vlefshme për kualifikueset e Euro2020. Federata Shqiptare e Futbollit bllokoi për disa orë shitjen e tyre, ndërsa interesimi i tifozëve është i madh

Ata që duan të shohin ndeshjen e luksit e kanë ende një shans. Mbeten rreth 8 deri në 9 000 bileta për t’u nxjerrë në treg për duelin ndaj Francës të dielën e ardhshme, ndërsa interesimi padyshim vjen duke u rritur. Gjithsesi, procesi i shitjes u bllokua për shumë orë këtë të shtunë, sepse sasia e biletave nuk ishte dërguar ende në shitoren e Federatës Shqiptare të Futbollit, në kryeqytet.

Burime në Federatë nuk sqarojnë zyrtarisht, por të thonë se mund të ketë pasur problem fizik, pra vonesë deri në transportimin e tyre për në dyqan. Kjo do të jetë sasia e fundit që të dalë në treg dhe besohet se do të përfundojë shpejt.

Deri tani janë shitur rreth 13 000 bileta, në një stadium me kapacitet diçka më pak se 22 000 vende.

Ndërkaq, mësohet se do të jetë e mundur të sigurohen vende thuajse në të gjitha tribunat, pra edhe në ato prapa portave, edhe në atë karshi tribunës VIP.

Vetën në këtë të fundit, gjithçka është e prenotuar që më parë. Çmimi i biletave shkon nga 1 500 deri në 5 000 lekë të rinj në tribunat përveç asaj VIP.

Çmimet janë pranuar përgjithësisht nga publiku, për vetë rëndësinë e ndeshjes, dhe për faktin se bëhet përurimi i Arenës Kombëtare.

Problem i madh në Federatë mbetet kërkesa nga institucionet shtetërore dhe kompanitë e mëdha private, veçse vetë punonjësit e saj do të kenë të drejtë të marrin deri në 10 bileta, shumë më pak se sasia e premtuar më parë, prej 50 të tillave.
Shtuar më 09/11/2019, ora 18:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori