Interi dhe Milani mbeten favorit për titullin
Portieri i Juventusit dhe kombëtares italiane, Gianluigi Buffon, qëndron me këmbë në tokë pavarësisht fitores prestigjioze përballë kampionëve të Italisë, Milanit.

Në një intervistë për të përditshmen sportive "La Gazzetta dello Sport", Buffon u shpreh se pavarësisht kryesimit të përkohshëm të skuadrës së tij në renditjen e Serisë A, dy klubet milaneze vazhdojnë të mbeten pretendentet kryesore për fitimin e titullit kampion.

"Ditën e dielë, në fitoren përballë Milanit, bëmë një prej ndeshjeve më të mira të sezonit. Ishte një fitore emocionuese dhe që i jep skuadrës shumë morale, por në të njëjtën kohë jemi realistë dhe e dimë që dy skuadrat milaneze vazhdojnë të kenë më shumë armë se ne", u shpreh Buffon.

"Nuk duhet të fluturojmë dhe është e rëndësishme të punohet me përultësi dhe duke pranuar se Milan e Interi vazhdojnë të jenë më të fortë. Do të vendosja kuqezinjtë si favoritët kryesorë për titullin pasi janë kampionët në fuqi, por është e qartë që edhe Interi ndodhet në të njëjtin nivel". /albeu.com/



Shtuar më 05/10/2011, ora 09:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori