Interi "fërkon gishtat", Valencia përfundimisht vendos ta blejë Kondogbian
Goeffrey Kondogbia nuk arriti dot të shkëlqejë në fushë me skuadrën e Interit, por është gati të japë një kontribut shumë të madh ekonomik për arkat e klubit.

Francezi u transferua në verë të Valencia, sipas formulës, huazim me të drejtë blerjeje, për vlerën e 25 milionë eurove dhe pas javëve të para, duket se i ka bindur spanjollët të blejnë përfundimisht kartonin e tij në verë.

25 milionë eurot e arkëtuara nga Interi, do të çonin bilancin nga -18 milionë euro, në +7, para merkatos së ardhshme, por nuk mbaron me kaq. Valencia dhe Kondogbia po negociojnë edhe një kontratë të re, për 4 vitet e ardhshme dhe me një klauzolë prej 80 milionë eurosh.

Këtu Interi do të përfitonte sërish, sepse sipas kontratës, 30 % e të ardhurave nga rishitja e Kondogbiasë, do të kalojnë në arkat e zikaltërve. Pra, nëse Kondogbia vijon me paraqitjet e mira dhe klubet e mëdha vendosin të paguajnë klauzolën e tij, në arkat e Interit do të përfundojnë edhe 24 milionë euro të tjera.

Në këtë mënyrë, operacioni për blerjen e mesfushorit francez do të shndërrohej nga dështim, në sukses të madh për njerëzit e merkatos te klubi zikaltër. Kondogbia e ka nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer te Valencia, ku ka arritur të shënojë edhe 2 gola në 6 javët e para, aq sa te Interi iu deshën 50 ndeshje për t’i shënuar. /albeu.com/
Shtuar më 27/10/2017, ora 09:32
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori