Interi i Mancinit si Milani i Capellos; Pak gola, shumë fitore
15 pikë të siguruara në pesë javë kampionat me vetëm gjashtë gola të shënuar dhe një të pësuar. Interi i Roberto Mancinit është e vështirë t’i shënosh.

Nga ajo që është parë në këto pesë javë të para të Serisë A, zikaltërit ngjasojnë shumë me Milanin e Fabio Capellos të sezonit 1993-1994. Një skuadër diskrete, cinike në fushë që të ndëshkon në rastin e vetëm që mund t’i jepet dhe që është tejet e vështirë t’i shënosh.

Këtë e dëshmojnë edhe rezultatet. Katër fitore 1-0, e fundit ndaj Veronas në Milano dhe një 2-1, ajo ndaj Karpit në transfertë.

Gjithë këto, për ata që kanë një kujtesë të fortë dhe që e kanë ndjekur Milanin e Capellos, të kujtojnë pikërisht kuqezinjtë e atij sezoni, ku t’i shënoje ishte sfidë më vete, përtej rezultatit të ndeshjes.

Në këto pesë javë Interi është pikërisht në ato gjurmë. Në fakt, vetë Mancini ka qenë protagonist i asaj kohe, kur luante për Sampdorian dhe u kujton të gjithëve se Sampi luante më bukur në fushë në pjesën më të madhe të ndeshjeve, tërhiqte më shumë vëmendjen, por në fund ata që fitonin ishin gjithmonë kuqezinjtë.

Kjo filozofi loje në fushë nuk është pa kosto. Ndaj trajnerit zikaltër ka kritika për një lojtë pa spektakël dhe të shëmtuar. Mancini u kujton të gjithëve se mbajtja mesatare topit në këto 5 javë është 65% në favor të zikaltërve.

"Sigurisht, kemi nevojë të përmirësohemi akoma më shumë, sidomos në fazën sulmuese. Duhet të tregohemi më konkretë dhe të finalizojmë më shumë", shton ai.

Milani i Capellos u shpall kampion me vetëm 36 gola të shënuar dhe 15 të pësuar, duke siguruar 19 fitore, 12 barazime dhe vetëm 3 humbje.

A do të përsërisë Interi suksesin e kuqezinjve të dy dekadave më parë? Kjo mbetet për t’u parë, por ajo që mund të thuhet për momentin është se një nisje e tillë e Serie A, që sheh zikaltërit në avantazh të ndjeshëm ndaj rivalëve për titull, nuk ishte parë prej vitesh. /albeu.com/
Shtuar më 25/09/2015, ora 11:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori