Interi i Thohir do drejtohet nga Zanetti?
Pak ditë pasi ka marrë në dorë çelsat e Interit, Eric Thohir i ka idetë e qarta. Në vizitën e fundit në Milano, miliarderi indonezian vec të tjerave foli edhe për të ardhmen e flamurit të zikaltërve, Javier Zanetti.

Ai tha se Zanetti do të vazhdojë të jetë pjesë e Interit pas varjes në gozhdë të këpucëve. Cështja është se kur dhe në ç’rol do të ndodhë kjo? Mediat sportive italiane kanë nisur menjëherë hipotezat. Mes skenarëve të mundshëm është që Zanetti të mos rinovojë më kontratën si lojtar dhe në fund të këtij sezoni të ulet në karrigen e një drejtuesi teknik, ndërsa një tjetër e ul atë sërish në rolin e një drejtuesi teknik, por në mesin e 2015-ës.

Vetë kapiteni ka shprehur dëshirën “për të qenë pjesë e familjes së madhe zikaltër” edhe pas lënies së futbollit të luajtur dhe këtë jo në pozitën e trajnerit.

"Dua të jem i dobishëm për skuadrën ashtu sic kam bërë në fushë. Të konsiderohesh një simbol i Interit? Për mua është një kënaqësi e pamasë, ndërsa të ardhmen time e shoh në rolin e një drejtuesi teknik të Interit, asnjëherë si trajner", ka deklaruar Zanetti.

Mjafton kjo deklaratë për të ndërtuar kornizat e detyrës së re të Zanetti-t, por mbetet mister kur? Kapiteni u rikthye ndaj Livornos pas një dëmtimi në "Thembrën e Akilit" që e mbajti larg fushave që prej muajit prill.

Sigurisht, në të tillë moshë, dëmtime kërkojnë më shumë kohë për rikuperim, por vec kësaj vetë argjentinasi mund t’i hapë rrugën që në fund të këtij sezoni projektit të Thohir për të afruar në skuadër të rinj të talentuar…të paktën ashtu sic ka premtuar ai. /albeu.com/
Shtuar më 16/11/2013, ora 18:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori