Interi insiston për "Coutinhon" e ri, gjysma e syve të Evropës është drejtuar nga ai
Është 19 vjeç dhe ka shumë talent e personalitet. Gjysma e syve të Evropës është drejtuar te Marcos Paulo. Edhe të Interit, që thuhet se janë në bisedime të avancuara për ta zhvendosur në Milano, duke shfrytëzuar situatën e tij kontraktuale. Kontrata e Paulos me Fluminensen skadon në qershor 2021 dhe nuk është rinovuar ende, pavarësisht përpjekjeve të drejtuesve të klubit.

Pas disa muajsh do të festojë 20-vjetorin e për disa sezone Fluminense, që po kalon një situatë të vështirë financiare, është mbështetur tek ai. Kush e ka ndjekur të luajë në akademinë e klubit nga Rio menjëherë e ka kuptuar se bëhej fjalë për një talent të madh. Për përfaqësuesen U-17 të Brazilit, që dhuroi spektakël në vitin 2018, ishte “binjaku” i João Pedros, që sot luan në Angli me Watfordin.

Fluminense e promovoi në ekipin e parë në fillim të vitit të kaluar, duke kapërcyer U-20-ën. Bashkë me Joao Pedron bëri hap të madh të dyfishtë. Ky i fundit spikati më shumë para se të transferohej në Premier League. Por edhe Marcos Paulo dha kontribut thelbësor për të shpëtuar një skuadër që, në një moment, dukej e destinuar për të rënë në Serie B.
Shtuar më 07/12/2020, ora 10:36
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori