Interi kërkon medoemos Lukakun, ofertës për të i shton dhe Perisic
Interi janë duke përgatitur një ofertë të re për Romelu Lukaku, që sipas mediave, do të ofrojnë 55 milionë euro para plus Ivan Perisic për Manchester United apo 78 milionë euro në total

Drejtorët e Interit kanë pasur një mbledhje me trajnerin Antonio Conte sot, në të cilën ai ka kërkuar që të blihet Lukaku si zgjidhje e parë për sulmin e Interit.

Sipas FCInterNews.it, propozimi është 55 milionë euro plus anësori Perisic, për të cilin Conte tha këtë vikend që “nuk është i përshtatshëm për taktikat e tij”.

Perisic ka qenë synim kryesor i Manchester United vitin e kaluar, por në atë kohë aty ishte Jose Mourinho dhe çmimi prej 50 milionë euro për të kishte bërë që Djajtë e kuq të tërhiqen.

Situata tani ka ndryshuar dhe vlera e Perisic ka rënë dukshëm, derisa skuadra nga Old Trafford nuk dihet se a është e interesuar më për shërbimet e tij.

Sipas Gazzetta dello Sport oferta e re pritet të arrijë 78 milionë euro plus bonuset.

Kjo ofertë ende është nën çmimin që kërkon Manchester United, që është 84 milionë euro për sulmuesin belg.

"Çdo vendim do të bëhet me Conten, pas asnjë dyshim, por ne duhet po ashtu të dimë gjendjen tonë ekonomike dhe njëkohësisht ta respektojmë Fer Playin Financiar", ka thënë sot Beppe Marotta.

"Ne nuk mund të bëjmë investime të mëdha, pasi që ne rrezikojmë të hymë përsëri në librin e keq të UEFA-së".
Shtuar më 22/07/2019, ora 23:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori